Se çmimet po rriten çdo ditë dhe kjo si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës thotë për Expose edhe Jakup Bellaqa, njohës i ekonomisë.
“Është e vërtetë se ngritje të çmimeve ka për çdo ditë e për çdo muaj, është dukur shqetësuese sidomos për kategoritë me të hyra të ulëta, pensionistët dhe ata me asistencë sociale por ndikon edhe te ata që janë të punësuar edhe në sektorin publik, edhe në atë privat. Pagat janë rritur në mënyrë simbolike, ndërsa çmimet rriten çdo ditë. E ka vështirësuar edhe më shumë tarifa e aplikuar nga ZRRE, që ka ndikuar negativisht në zinxhirin e furnizimit të të gjithë artikujve elementarë”, ka thënë ai për dokumentarin Expose të Gazeta Blic.
Ai e quan të paarsyeshme rritjen e çmimeve, teksa thotë se qytetarët po mashtrohen. Sipas Bellaqës, duhet vlerësim se si të rriten çmimet dhe jo në mënyrën siç po ndodh në Kosovë.
“Nuk janë të arsyeshme kur ka çdo ditë çmime të larta dhe mos ndërgjegje e bizneseve pasi është më shumë se marzha e tregut dhe kjo i bie edhe mashtrim sepse nuk është reale, nuk mund të bëhet një kafe 1.50 ose 2 euro”, thekson ai.
“Për t’u përcaktuar çmimet duhet pasur shpenzimet fikse dhe shpenzimet varibile në ekonomi totale, shpenzimet totale plus 16 për qind, e jo për një produkt të caktuar të rritet 16 për qind”, shprehet Bellaqa.
Ekonomisti bën thirrje që institucionet të veprojnë urgjentisht që të parandalojnë përkeqësimin e shëndetit ekonomik të qytetarit.
“Organet përgjegjëse duhet të veprojnë, por edhe mungesa e institucioneve, mos konstituimi i Kuvendit e të qeverisë e bën të veten, mirëpo edhe ato institucione që janë do të duhej të veprojnë urgjentisht, në mënyrë që të mos përkeqësohet shëndeti ekonomik i qytetarit të Kosovës”, potencon ai.
Por, ai apelon edhe te bizneset që konsumatorët t’i shohin si partnerë të përhershëm dhe të mos i ngritin çmimet në mënyrë abuzive.
“Faktikisht inspektorë ka shumë pak, do të duhej të kishte më shumë që ta mbulonin tërë Kosovën dhe të punojnë në bazë të ligjeve në fuqi dhe direktivave të BE-së. Sigurisht që derisa nuk ka ndonjë efekt pozitiv nga Inspektorati, nuk janë duke e kryer punën siç duhet. Mirëpo kisha apeluar edhe te bizneset që klientin ta shohin si partner të përhershëm, sepse në ekonomi përdoret termi “konsumatori është mbret në treg” dhe nuk do të duhej të kishte çmime abuzive, marramendëse, të paarsyeshme, që të krijojë efekte negative, sepse për shkak të çmimeve të larta, gjendjes ekonomike të rinjtë e të rejat po e lëshojnë Kosovën. Po ashtu ka mungesë të fuqisë punëtorë, çdo i dyti biznes kërkon punëtorë, është efekt zinxhiror në të gjitha aspektet. Shteti në këtë rast duhet të veprojë, sepse sikur një lum kur del nga shtrati duhet të ndërhyhet dhe në këtë rast edhe ekonomia kur del nga shtrati i saj, shteti duhet ta mbrojë sepse edhe praktikat”, vlerëson Bellaqa.
Ai thotë se inspektorët duhet të veprojnë aty ku ka abuzim me çmime, derisa tregon dhe si duhet të veprojë shteti.
“Te ne është edhe mos serioziteti i institucioneve përgjegjëse. Është e vërtetë që vakumi institucional, mos formimi i Kuvendit dhe Qeverisë e bën të veten dhe ka efekte negative, mirëpo institucionet përgjegjëse do të duhej të vepronin më shumë, ekonomia do të duhej të ishte nën kontrollin e shtetit, çmimet po ashtu nën kontroll të Inspektoratit të Tregut. Fatkeqësisht ka shumë pak inspektorë, por ata që janë do të duhej të dilnin në terren dhe aty ku ka abuzim të çmimit të veprojë, po ashtu Autoriteti i Konkurrencës do të duhej të veprojë më shumë, më fuqishëm. Gjithashtu në këtë hark të gjitha hallkat përgjegjëse duhet të jenë në bashkëpunim dhe bashkëveprim të përbashkët dhe një rol më aktiv do të duhej ta kishte edhe BQK. Unë kam qenë dhe jam ithtar që kjo çështje do të duhej të rregullohej me një ligj të ri, të strukturuar, të përgatitur mirë”, deklaron ekonomisti Jakup Bellaqa./Gazeta Blic/