Lajme

Qytetarët nuk kanë nevojë për parti politike që lënë shtetin pa institucione

04/19/2025 13:23
nga:Ismet Kryeziu

Shkruan: Ismet Kryeziu

1.
Përkundër të gjitha sfidave ndër vite, në ndërtimin e demokracisë dhe të shtetit, partitë politike në Kosovë kanë ruajtur dy vlera themelore për funksionimin demokratik, pranimin e rezultateve zgjedhore dhe ndërrimin e pushteteve përmes krijimit të institucioneve legjitime – edhe kur ky proces ka kërkuar kohë, negociata, kompromise dhe pjekuri politike.
Asnjëherë më parë nuk kemi pasur zgjedhje pas zgjedhjeve si pasojë e mungesës së konsensusit për krijimin e institucioneve. Sot, për herë të parë, kjo duket se po bëhet një alternativë e diskutueshme dhe e pranueshme nga partitë politike: të shkohet në zgjedhje të reja, ende pa u funksionalizuar institucionet e dala nga zgjedhjet e fundit. Pse duhet të funksionalizojmë institucionet dhe t’u ofrojmë qytetarëve një qeveri të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ndër arsyet e para është për të ruajtur parimin demokratik që vota duhet të përkthehet në institucione – jo të mbetet peng i politikanëve dhe politikave të papërgjegjshme.
Gjendja aktuale nuk është pasojë e mungesës së përvojës, por reflektim i një qasjeje të re politike, ku veprimet e partive janë gjithnjë e më shumë të orientuara drejt interesave të grupeve të brendshme, duke humbur nga vëmendja arsyen përse janë krijuar dhe përse garojnë në zgjedhje.
Cili është roli i tyre? Cili është angazhimi i tyre për ta shndërruar interesin e Republikës në ide dhe veprim politik të partive dhe institucioneve?
Interesat partiake dhe sjelljet që promovojnë zgjedhjet e parakohshme si zgjidhje për çdo krizë dhe mungesë bashkëpunimi politik nuk duhet të kthehen në precedent politik. Kjo qasje rrezikon të krijojë një kulturë të re të bllokadës, e cila jo vetëm që e pengon funksionimin institucional, por edhe minon besimin qytetar dhe legjitimitetin demokratik.

2.
A janë zgjedhjet zgjidhje për këtë situatë? Vështirë të thuhet po – jo vetëm për shkak të rrethanave të brendshme, por edhe për shkak të atyre gjeopolitike dhe ekonomike që nuk e favorizojnë një Kosovë pa institucione funksionale. Kostoja ekonomike e zgjedhjeve të reja, humbja e besimit qytetar dhe devalvimi i votës janë vetëm disa nga arsyet.
Për më tepër, edhe pas zgjedhjeve të reja, do të kemi sërish nevojë të domosdoshme për koalicione dhe kompromise politike – sepse nuk ka asnjë garanci se rezultati i 9 shkurtit do të ndryshojë përmbajtësisht aq sa të krijojë një situatë të re politike.
Me këtë logjikë, rrezikojmë të hyjmë në një cikël zgjedhor të vazhdueshëm, përfshirë zgjedhjet lokale dhe ato presidenciale, duke u përballur me një periudhë të gjatë fushatash dhe përplasjesh politike – në kohën kur Kosova ka nevojë për zhvillim dhe pozicionim të qëndrueshëm ndërkombëtar.
3.
Qytetarët nuk kanë nevojë për parti politike që lënë shtetin pa institucione. Ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme, për parti politike të përgjegjshme, për koalicione dhe konsensus politik, që mbështeten jo në numra të kufizuar por në vullnet dhe vizion për të shtyrë përpara çështje madhore zhvillimore dhe integruese për vendin.
Partitë politike nuk mund të sillen me indiferencë ndaj kësaj përgjegjësie. Nuk duhet ta bëjnë Republikën të duket si një shtet i pasigurt në funksionimin e saj – një perceptim që, për fat të keq, po rritet jo vetëm tek qytetarët, por edhe tek aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.