Lajme

Qytetarët nga Kosova s’po lejohen të vizitohen në burgje, Haxholli: Serbia, familjarëve nuk po ua njeh dokumentet RKS

07/03/2024 19:21
nga:G B

Sekretari i Zyrës së Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, ka ngritur shqetësimin për nivelin e lartë të pasigurisë fizike dhe juridike për qytetarët nga Kosova të cilët janë arrestuar nga autoritetet serbe.

Haxholli ndau një komunikimin mes një avokati serb dhe një qytetari të Kosovës, i cili sipas tij, këto ditë ka shkuar ta vizitojë një familjar të tij të burgosur në Serbi, por s’ka mundur ta bëjë një gjë tillë.

“Se sa është i lartë niveli i pasigurisë fizike dhe juridike për ata që kalojnë, ndalen, arrestohen, apo burgosen në Serbi, flet edhe ky komunikim i një avokati serb, i ndarë me mua nga një bashkëqytetarë i Republikës së Kosovës, i cili këto ditë ka shkuar ta vizitoj një bashkëfamiljar të tij të burgosur në Serbi, por edhe pse i ishte aprovuar vizita, është vënë në lojë me arsyetimin se nuk mund t’ja njohin dokumentin identifikues të RKS për ta realizuar këtë vizitë”.

“Pra në kufi e njohin dokumentin, në instanca tjera se njohin atë. Kjo tregon se sa e verbuar është Serbia nga urrejtja kundër qytetarëve të RKS, dhe e cila kur janë në pyetje shqiptarët nuk njeh as ligjet e veta, e leje më ato ndërkombëtare”, shkroi Haxholli.

Më tej, ai ndau edhe një fragment  të tekstit të avokatit serb, i cili sipas tij, ka thënë se “këto janë ca lojëra politike dhe nuk mund ta lejojë askënd pa udhëzime të tjera”.

“Një fragment i tekstit të avokatit serb: E thirra udhëheqësin e burgut… Me tha se këto janë ca lojëra politike, dhe se ashtu i është urdhëruar dhe nuk mund ta lejoj askënd pa udhëzime tjera”, shkroi Haxholli.