Lajme

Qytetarët me mendime të ndryshme për Qeverinë – Kërkojnë rritje të pensioneve e përfundim të dialogut

01/03/2023 15:49
nga:G B

Gati dy vjet që kur Albin Kurti ka ardhur në krye të ekzekutivit kosovar, ka shpërfaqur pakënaqësinë e qytetarëve. Disa prej tyre shprehen të zhgënjyer, të cilët kërkojnë që të rriten pensionet e të përfundojë dialogu me njohje.

Të intervistuar nga Ekonomia Online, disa qytetarë janë të pakënaqur me mungesën e rezultateve për dy vjet qeverisjeje.

I kënaqur me këtë Qeveri nuk është aspak Enver Shabani.

“Nuk jam i kënaqur hiç. Kam prit ma mirë, e veç ma keq ka me ardhë me qet Qeveri. Të gjithat janë të këqija, asnjë e mirë s’është hiç”, u shpreh Shabani.

Njëjtë mendon edhe Fetush Morina. Ai thotë se ka pritur dinjitet më shumë për pensionistët dhe shkollim më të mirë për të rinjtë.

“Jo aq përbes, kemi pritur Pavarësinë e me na urua Serbia, kemi pritur qeta nxënësit e shkollës me ju ndihmu nxënësve me ju ndihmu popullit, me ua rrit rrogat pak, pensionerëve me ju ndihmu. Ka punu 40 vjet, 100 euro i merr. Aty shteti i ka fajet. Mesatar pensionerët duhet me qenë bile 200 euro mesatar pensioni”, u shpreh ai, teksa shpreson që këtë vit të kenë pensione më të mira.

Ndërsa Bashkim Latifi, shpreson që këtë vit të përfundojë dialogu Kosovë-Serbi.

Ai ka kërkuar më shumë unitet nga partitë politike.

“Çka nuk kemi prit se. Dëshira më e madhe është me zgjidh një herë e përgjithmonë këtë problem që ka Kosova me Serbinë. Dhe kjo Qeveri duhet të bëhet bashkë, të unifikohet me të gjithë spektrin politik dhe ta zgjidhin një herë e përgjithmonë çështjen e Kosovës. Problemi të pa zgjidhur në Serbinë, sepse ne konsiderojmë që shteti jonë i ka kufijtë dhe gjithçka zgjidhjen e mirë por ky problem si po duket është shumë më i madh t’i mbledh të dijshmit, ata që janë në ajkën e Kosovës dhe ta zgjidhin një herë e përgjithmonë këtë problem. Dhe besoj që do zgjidhet, ky vit do të jetë vit i zgjidhjeve, mirëpo dashtë Zoti të zgjidhet sa ma mirë  që është e mundshme”, u shpreh Latifi.

Më i kënaqur pak me këtë Qeveri u shpreh Bajram Sekiraqa. Falënderues është për subvencionimin e energjisë për qytetarët.

“Unë shumë i kënaqur jam me Kurtin, po ka vepruar ashtu, rrymën po na e paguan gjysmën qashtu disa gjëra i ka rregullu. Po nuk jam i kënaqur, po ndoshta s’kanë mundësi më shumë me rrit ata, ndoshta s’ka buxhet, me pas buxhet ai i rrit”.

“Unë pres këta të rinjtë me pas punë, mos me shku jashtë, po mendoj në vend të vet. Për mua s’ka çka vlen tash jam plak. Po na presim për me qenë mirë, por e nuk e di unë”, u shpreh Bajram Sekiraqa.