Lajme

Qosja për vdekjen e Kadaresë: Emri dhe jetëshkrimi i tij janë të pavdekshme

07/01/2024 21:02
nga:G B

Akademiku Rexhep Qosja, ka vlerësuar lart veprimtarinë e Ismail Kadaresë i cili vdiq të hënën, pavarësisht se thotë që me të ka pasur polemika për çështje të caktuara.

Qosja ka folur edhe për raportet e tij me Kadarenë, bashkëpunimet edhe mospajtimet që kanë pasur.

Ai ka përmendur rastin kur i kishte dhënë mbështetje Kadaresë që ishte detyruar të largohej nga Tirana.

“Mirëkuptimi dhe nderimi i ndërsjellë mes Ismail Kadaresë dhe meje në masë të madhe do të bazohej në qëndrimin tim ndaj tij kur ai do të shpërngulej prej Tiranës në Paris. Mospajtuesve që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej Atdheut unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare”, ka shkruar Qosja.

Qosja ka folur edhe për kohën e mospajtimeve, duke thënë se ata që “polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin”.

Qosja ka thënë se emri Ismail Kadare dhe jetëshkrimi i tij do të jetë përgjithmonë dhe të pavdekshme, sepse janë historikë.

“Emri i tij dhe jetëshkrimi i tij janë të gjithmonshëm, sepse janë emër dhe jetëshkrim të pavdekshëm, janë historikë. E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë: proza letrare, shkrimet publicistike, trajtesat historiko letrare dhe kritike e eseistike. Të gjitha këto – emri Ismail Kadare, jetëshkrimi i tij, krijimtaria mendore, veprimtaria kulturore, shoqërore, etike dhe kombëtare në përgjithësi përbëjnë vlerën e madhe kulturore shqiptare. Në sajë të tyre Ismail Kadare në të përtashmen dhe në të gjithë të ardhmen do të jetë personalitet madhështor historik i Kombit Shqiptar, të cilit do t’ia dhurojnë ndjenjat e tyre, mendimet e tyre, përkushtimet e tyre të gjithë brezat e shqiptarëve pavarësisht ku do të jetojnë ata”, ka shkruar Qosja.