Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli ka komentuar mosparaqitjen e kryeministrit të vendit, Albin Kurtit në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore.
Qorrolli ka hedhur dyshime se ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë e planifikuar, pasi siç tha ai, kjo ka ndodhur pikërisht në ditën e publikimit të listave zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ky është një gjah pastërtisht i shtrigave që është bërë në ditën kur kryeministri i Republikës së Kosovës ka qenë në mbledhjen e kryesisë së LVV-së, duke e finalizuar listën emërore prej 110 kandidatëve për zgjedhjet e shkurtit”, ka thënë Qorrolli në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Për më tepër, zëvendësministri i Drejtësisë ka vlerësuar se ftesa e Prokurorisë Speciale për Kurtin është joserioze, ngaqë sipas tij, nuk janë përmbajtur afatet procedurale.
“Është absolutisht joserioze prej anës së Prokurorit të Shtetit për arsye se janë afatet e procedurale kur prokurori bën një bën një orar të caktuar për t’i dëgjuar palët”, ka thënë Qorrolli.