Të paktën 340 persona janë arrestuar në të paktën 30 qytete ruse që kur u njoftua vdekja e Alexei Navalny-it, kundërshtarit më të njohur në vend të presidentit rus Vladimir Putin, njoftoi organizata e të drejtave të njeriut OVD-Info.
Kjo është vala më e madhe e arrestimeve gjatë aktiviteteve politike në Rusi që nga shtatori 2022, kur mbi 1300 persona u arrestuan gjatë demonstratave kundër “mobilizimit të pjesshëm” të rezervistëve për fushatën ushtarake në Ukrainë.
Juristi i burgosur 47-vjeçar, Alexei Navalny, ra pa ndjenja dhe më pas vdiq pas një ecjeje në burgun “Ujku Polar” në Arktik, ku po vuante një dënim me 30 vite burg, njoftoi shërbimi i burgjeve.
Organizata OVD-Info, e cila raporton për të drejtën e organizimit në Rusi, tha se pjesa më e madhe e arrestimeve të së shtunës ndodhën në Shën Petersburg dhe në Moskë, ku lëvizja e zotit Navalny ka qenë tradicionalisht e fortë. 74 persona u ndaluan në Shën Petersburg dhe 49 në Moskë, deri rreth orës 3 të pasdites me orën lokale.
Filmimet e agjencisë së lajmeve Reuters të shtunën në Shën Petersburg tregonin dhjetëra persona duke u mbledhur pranë një monumenti të dedikuar viktimave të represionit. Protestuesit vendosën lule dhe qirinj, ndërsa disa këndonin himne dhe të tjerë përqafoheshin me njëri-tjetrin, duke derdhur lotë.
“Ndjeva keqardhje për të dhe për vendin tonë”, tha një pjesëmarrëse 83-vjeçare që nuk pranoi të japë emrin e saj. “Jam e frikësuar”, tha ajo.
Një gazetar i agjencisë së lajmeve Reuters që gjendej në vendngjarje tha se rreth 30 persona u arrestuan pak pasi përfunduan së kënduari.
Organizata OVD-Info gjithashtu raportoi për arrestime të veçanta në qytete më të vogla të Rusisë, që nga qyteti kufitar Belgorod, ku shtatë persona u vranë të enjten nga një sulm ukrainas me raketë, dhe deri në Vorkuta, një qytezë minatorësh në Arktik ku gjatë periudhës së Stalinit gjendeshin kampet e punës së detyruar.
Filmimet e agjencisë së lajmeve Reuters në Moskë tregojnë forcat e policisë që i grumbullojnë demonstruesit mbi dëborë, pranë vendit ku njerëzit kishin lënë lule dhe mesazhe në mbështetje të udhëheqësit të vdekur opozitar.
“Në stacionet e policisë mund të ketë të ndaluar të tjerë krahas listave të publikuara”, tha organizata OVD-Info. “Ne publikojmë vetëm emrat e personave për të cilët kemi njohuri të besueshme dhe emrat që mundemi t’i publikojmë”.
Agjencia Reuters nuk mundi t’i verifikojë këto shifra në mënyrë të pavarur. Policia ruse refuzoi të komentojë./VOA