Qindra shtetas të Republikës së Shqipërisë po jetojnë dhe punojnë në Kosovë, në bazë të marrëveshjeve ndërqeveritare mes dy vendeve, të cilat synojnë lehtësimin e procedurave për qëndrim dhe integrim.
Vetëm gjatë vitit 2025, 619 shtetas të Shqipërisë kanë aplikuar dhe janë pajisur me leje qëndrimi në Kosovë, duke u regjistruar si banorë ose punëtorë afatgjatë.
Në një deklarim për IndeksOnline, Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës pohon se bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri në këtë fushë bazohet në një marrëveshje të posaçme ndërqeveritare.
Marrëveshja, që u nënshkrua në Elbasan më 2021, parasheh lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm, si dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në rregullimin e statusit të qytetarëve shqiptarë në Kosovë.
Leja e qëndrimit të përkohshëm, sipas kësaj marrëveshjeje, nënkupton pajisjen me leje qëndrimi të përkohshëm për shtetasit e palëve nënshkruese me afat vlefshmërie prej pesë vjetësh, në bazë të përmbushjes së kritereve të përgjithshme, referuar legjislacionit kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë.
Me këtë rast, shtetasit e të dy vendeve, me hyrjen në territorin e shtetit tjetër me qëllim të qëndrimit të përkohshëm, do të lajmërojnë përmes dokumentit të vlefshëm të udhëtimit, për qëndrimin e përkohshëm, me qëllim të bashkimit familjar, për motive studimi, punësimi, kërkime shkencore, apo edhe për arsye të tjera, të përcaktuara sipas legjislacionit përkatës të palëve nënshkruese.
Nga Ministria sqarojnë se shtetasit e Shqipërisë iu nënshtrohen procedurave administrative që parashihen me marrëveshje, përfshirë regjistrimin e vendbanimit apo dokumentacionin për qëllime pune.
“Të gjitha kriteret dhe procedurat janë të parapara në bazë të marrëveshjes ndërmjet dy vendeve,” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sa i përket qëndrimit pa leje, Ministria rikujton se legjislacioni parasheh kufizime të qarta kohore për të gjithë shtetasit e huaj, përfshirë edhe ata të Shqipërisë.
“Periudha e qëndrimit pa u pajisur me leje qëndrim në Republikën e Kosovës të shtetasve të huaj përfshirë edhe të Shqipërinë është nëntëdhjetë (90) ditë brenda periudhës së njëqind e tetëdhjetë (180) ditëve. Rastet e tejkalimit të afateve të qëndrimit trajtohen si qëndrim i paligjshëm, sipas Ligjit për të Huaj.”
Përveç dhënies së lejeve të qëndrimit, institucionet kosovare kanë zbatuar edhe masa ndëshkuese ndaj shtetasve shqiptarë që kanë shkelur rregullat e qëndrimit.
Vetëm gjatë periudhës janar–nëntor 2025, janë shqiptuar dhjetëra masa administrative dhe ligjore.
“Në periudhën kohore janar-nëntor 2025, në zbatim të Ligjit për të Huaj, janë shqiptuar gjithsej 181 gjoba për shtetas të Shqipërisë, të tilla si: moslajmërim i adresës së banimit, qëndrim në kundërshtim me qëllimin e hyrjes etj., 53 vendime për largim vullnetar, 2 vendime për largim me forcë dhe 2 ekzekutime të masës plotësuese të dëbimit, sipas aktvendimit të Gjykatës” deklaron MPB-ja.
Sa i përket mundësisë së heqjes së plotë të nevojës për leje qëndrimi apo krijimit të një mekanizmi të ri të përbashkët, Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson se bashkëpunimi aktual funksionon mirë dhe se procedurat janë tashmë të harmonizuara.
Në takimet e përbashkëta ndërmjet dy qeverive, çështjet e qëndrimit dhe migrimit vazhdojnë të trajtohen si prioritet, ndërsa institucionet shprehin gatishmëri për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit.
“Ministritë e Brendshme të dy vendeve respektive gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer në të gjitha fushat që mbulojnë dhe të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash zbatohen plotësisht. Ky bashkëpunim bazohet në qëllimet më të mira për vendet tona por edhe për qytetarët tanë dhe ka vullnet që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej”, përfundon MPB-ja.


