Lajme

QIKA me aksion para qeverisë, kërkon heqjen e taksës për produktet menstruale

05/22/2024 12:35
nga:Genita C

Organizata joqeveritare QIKA ka bërë sot një aksion simbolik para Qeverisë Kosovës ku ka kërkuar heqjen e taksës prej 18 për qind për produktet menstruale.

“Sot, ministrit Hekuran Murati ia sollëm 7,500 nënshkrimet e peticionit ‘Peceta nuk është luks’ për t’ia kujtuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës që vitin e kaluar kanë kërkuar heqjen e taksës prej 18% për produkte menstruale”, ka shkruar QIKA në Facebook.

“Simbolikisht, ia sollëm edhe vendimin të cilin Murati do të duhej të kishte vetë guximin dhe vullnetin që ta hartonte”.

“Taksimi i produkteve menstruale është seksist. Shteti po takson funksionimin normal fiziologjik të grave dhe të gjithë personave që menstruojnë. Menstruacionet nuk janë zgjedhje, as higjiena menstruale nuk është luks, e si të tilla nuk mund te taksohen”.

“Pasojat ekonomike të këtij taksimi prekin drejtpërdrejtë gratë, e sidomos ato nga familjet e varfra të cilat janë veçanërisht të goditura”.

“Përkundër kërkesave të aktivisteve feministe për heqjen e taksës, Murati nuk e tha as edhe një fjalë në publik për këtë çështje. Ministër, nuk mund të qëndrosh indiferent dhe të mos flasësh mbi varfërinë menstruale. Ajo ekziston”.