Florim Statovci, anëtar i Kryesisë së degës së PDK-së në Podujevë, pretendon se në fillim të janarit emri i tij ishte në mesin e dy drejtorëve të votuar brenda partisë, për të bashkëqeverisur me Lëvizjen Vetëvendosje.
Megjithatë, në vend të tij, drejtoreshë e Administratës, nga kryetari Shpejtim Bulliqi, ishte emëruar një anëtare tjetër e PDK-së.
“Behram Latifi ku edhe sot drejtor, ndërsa unë Florim Statovci jam hy me kandidatë në garë. Si janë votat aty? Në garë, edhe unë i kam marr 6 vota nga kryesia kanë votu, 14 anëtar, 6 i kam marr unë, 5 i ka marr kandidatja e dytë, edhe i treti i ka marr 2 vota, 1 ka qenë e pavlefshme. Tash u dal njëfar metode e re poget, prej këtu kryetari e ka shkelë statusin e partisë deri në Komunë, përafërsisht janë rreth 150 metra e ka ndryshu emrin tim, edhe i dyti tash është drejtor i administratës”, ka thënë Florim Statovci – Kandidat për asamble .
Për një arsye tjetër, largimin e Shabanit nga udhëheqja e partisë në Podujevë e kërkon edhe Isuf Osmani, anëtar i Kryesisë së PDK-së në këtë komunë.
Sipas tij, vendimi për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, është bërë pa dijeninë dhe aprovimin e tyre.
“Vetë ka bërë takime me Bulliqin, pa e pyet kryesinë, pa e pyet, as anëtar as askë hiq. A ju ke prezantu atë ditë cila është marrëveshja? Jo, e kemi kërku me shkrim, a ke marrëveshje me shkrim, ka thënë jo, ka thënë e kam pyet Bedri Hamzën, ne e kemi taku e kemi bisedu me atë në kryesi, tha jo, as nuk ka marrëveshje prej Bedri Hamzës as prej askujt hiq, dmth. ky e ka bë krye në veti”, ka thënë Isuf Osmani – Anëtar i Kryesisë.
Por, të gjitha këto pretendime, në një përgjigje për TV Dukagjini, Isak Shabani, i ka cilësuar të pavërteta.
“… Njëri prej tyre ka vetëm shkollën e mesme të përfunduar dhe, prandaj, nuk i përmbush kriteret profesionale për pozitën e drejtorit të Administratës komunale. Për më tepër, në këtë rast është rënë dakord që të respektohet aspekti gjinor, në kuadër të bashkëqeverisjes. Personi tjetër, ndërkohë, ka refuzuar t’i nënshtrohet procesit të votimit në Kryesi, duke tentuar të anashkalojë rregullat statutare. Është absurde që nga njëra anë të pretendohet se “nuk ka pasur marrëveshje”, ndërsa nga ana tjetër të kërkohet të bëhesh drejtor pa iu nënshtruar votimit dhe besimit të Kryesisë”, ka thënë Isak Shabani – Kryetar i Degës së PDK-së në Podujevë.
Për bashkëqeverisjen, nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Podujevës e kanë konfirmuar se PDK dhe VV nuk kanë marrëveshje të shkruar për koalicion zyrtar, ndërsa nuk e kanë komentuar ndryshimin e emrave për drejtor.


