Lajme

Qeverisja Jashari shpallet më e mira në përformancë dhe transparencë komunale

03/10/2022 20:26
nga:Gazeta Blic

Ish-kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, ka njoftuar se Komuna e Skenderajt është shpallur komuna me përformancë më të mirë në mesin e 38 komunave të Republikës së Kosovës.

Jashari tha se ky kishte qenë misioni i tij.

“Kjo ishte qeverisja ime me komunën e Skenderajt e cila para ardhjes sime në qeverisje, renditej në mesin e komunave fatkeqësisht me përformancë më të dobët dhe më së paku transparente”, tha ai.

Ai ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij për këtë sukses.

Më poshtë njoftimi i plotë:

Lider në përformancë dhe transparencë komunale

Në 24 vjetorin e rënies heroike të familjes sime, një lajm i jashtëzakonshëm që dëshmon qeverisjen tonë transparente dhe me përformancë më të mirë në mesin e 38 komunave të Republikës së Kosovës.

Me angazhim maksimal për t’i shërbyer vendit, gjithmonë duke qenë të hapur dhe transparent, falë bashkëpunimit shembullor me qytetarët, qeverisja ime me Komunën e Skenderajt për vitin 2020, nga Ministria e Pushtetit Lokal është vlerësuar me vendin e parë.

Ky ishte misioni im, obligimi dhe detyra ime që kisha ndaj shtetit tonë, të ndërtuar me shumë mund e sakrificë.

Kjo ishte qeverisja ime me komunën e Skenderajt e cila para ardhjes sime në qeverisje, renditej në mesin e komunave fatkeqësisht me përformancë më të dobët dhe më së paku transparente.

Kjo ishte ajo që kisha mundësi të bëjë për komunën time dhe jam i lumtur që puna dhe qeverisja jonë u dëshmua dhe u shpërblye me vendin e parë, ani pse MAPL këtë vit pa asnjë arsye ka vendosur që të mos publikoj listën sipas renditjes së komunave, mirëpo sipas llogaritjeve të bëra në raportin e publikuar në web faqen e MAPL-së del që jemi komuna lider, me vendin e parë.

Për këtë sukses të qeverisjes sime dhe komunës së Skenderajt, dëshiroj të falënderoj të gjithë ish drejtorët, zyrtarët komunal, në veçanti Komisionin Komunal për Sistemin e Menaxhimit të Përformancës Komunale, që është marrë me përgatitjen e raportimit tonë, me koordinator, z. Mirsad Gashi.

Çdo sukses i komunës sonë është sukses i secilit qytetar, punëtor dhe zyrtar komunal.
Urime!