Qytetarë të shumtë po e lënë Kosovën dhe po shkojnë drejt perëndimit, për një jetë më të mirë.
Arsyet e kësaj dukurie negative janë të shumta, derisa jetesa në Kosovë e ka bërë të veten. Përpos papunësisë, shkaktarë janë edhe kushtet jo të mira të punës, që po i bëjnë sidomos të rinjtë ta braktisin vendin, derisa për profesionet që ushtrojnë, në vendet e Evropës paguhen shumë më shumë.
Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për Gazeta Blic thotë se ikja e qytetarëve është shqetësuese, por që Qeverisë nuk po i bën përshtypje kjo.
Ai vlerëson se Qeveria nuk është e gatshme për rritjen e pagës minimale e as për sigurimin shëndetësor.
“Shqetësuese ka qenë dhe është por kur flasim në nivel qeveritar, vlerësoj se nuk po ju bën përshtypje kjo ikje dhe kjo gatishmëri për ikje e qytetarëve, për faktin se nuk ka gatishmëri të rritjes së pagës minimale, nuk ka gatishmëri ligjore të sigurimit shëndetësor, pra fuqia punëtore në Kosovë nëpërkëmbet dhe si rezultat i kësaj nëpërkëmbje, gatishmëria është shumë e lartë për ikje”, thekson Kadriaj.

Duke qenë gjendja e tillë, a ekziston mundësia që Kosova të përballet me mungesë të punëtorëve, derisa po ikin të rinjtë që janë fuqi punëtore?
Eksperti i ekonomisë për Gazeta Blic potencon se Qeveria dhe bizneset po korrin atë që kanë mbjellë, derisa shton se qeveria duhet ta bëjë parandalimin e ikjes së fuqisë punëtore pasi do të jetë zhgënjim i madh për qytetarët.
“Se sa do të ketë probleme me fuqi punëtore, vlerësoj që Qeveria dhe bizneset janë duke vjelë atë çfarë kanë mbjellë, pra tani kur flasim ka mungesë të fuqisë punëtore dhe ky trend nuk ka të ndalur. Nëse kjo qeveri nuk bën në parandalimin e ikjes së fuqisë punëtore, do të jetë zhgënjimi më i madh për qytetarin për faktin se është ardhur me politika të mirëqenies dhe politika sociale, ndërsa deri më tani nuk ka aspak disponim qeveria që të përmirësojë jetën e qytetarit”, deklaron Mustafë Kadriaj./Gazeta Blic/


