Lajme

Qeveria vjen me vendim të ri për targat ilegale serbe

10/30/2023 19:19
nga:Genita C

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr.05/103 të datës 28 tetor 2022, duke zgjatur afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 1 dhjetor 2023.

“Ky ndryshim vjen si rezultat i kërkesës së madhe të shënuar së fundmi për regjistrim të automjeteve me targa RKS”, ka njoftuar Kryeministria.

Në njoftim thuhet se vendim i ri parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme, u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët kanë automjete me targa ilegale të Serbisë si: PR, GL, PZ etj që t’i konvertojnë në traga RKS.

Këtë njoftim MPB e bëri pas vendimit të Qeverisë për zgjatjen e afatit deri më 1 dhjetor, për ndërrimin e targave të veturave të regjistruara në ish kohën e regjimit serb në Kosovë.

“Ju njoftojmë se bazuar në vendimin e qeverisë Nr.01/170 të Republikës së Kosovës të gjithë ju që jeni të pajisur me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, nga data 10 qershor 1999 deri me 21 prill 2022, mund të bëni regjistrimin me targa RKS nga data 1 nëntor 2023 deri me 1 dhjetor 2023. Në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve ju do të keni mundësi të përfitoni nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targat ilegale në targa RKS deri me datë 1 dhjetor 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit. Mjetet tuaja motorike mund t’i regjistroni në cilëndo qendër të regjistrimit, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që keni. Ftojmë të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA”, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe bashkërisht të përfundojmë me sukses këtë proces”, thuhet në njoftimin e MPB-së

Kurti i kërkoi Von der Leyen në takim të vendosen sanksione ndaj Serbisë: U theksua nevoja e ekstradimit të Milan Radoiçiq në Kosovë