Kriza globale energjetike tashmë ka goditur konsumatorët kosovarë vetfurnizues. Njëri nga ta është Ferronikeli, i cili ka mbi 900 punëtorë. Për shkak të krizës energjetike është paralajmëruar shtrenjtim i energjisë duke filluar nga marsi i vitit të ardhshëm.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë timonin e qeverisë nga muaj prill i këtij viti, nuk e ka në plan që të rris kapacitetet energjetike me ndërtimin e ndonjë termocentrali të ri.
Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021 -2025 që përmban 56 faqe, në rreth gjysmë faqe ka paraparë dhe strategjinë për energjinë dhe miniera.
Sigurimi i energjisë për periudhën e pikut në Kosovë, përveç prodhimit vendor bëhet edhe përmes importeve, ndërsa në rast të rënieve të njësive gjeneruese kjo realizohet përmes importeve emergjente ose ndonjëherë edhe me aplikimin e reduktimeve si masë e fundit për të mbajtur sistemin në balancë.
Në programin e saj tre vjeçar, qeveria aktuale e ka fshirë ndërtimin e Termocentralit të ri, rrjedhimisht është hequr dorë nga ndërtimi i çdo termocentrali tjetër, shkruan lajmi.net.
Ministria e Ekonomisë është institucioni mbi të cilën ka rënë barra e implementimit të strategjisë së Qeverisë për çështjet e energjetikës. Në këtë ministri nuk kanë dashur të përgjigjen lidhur më atë se, “çfarë është bërë deri më tani në këtë plan, që të krijohen kushte për furnizim të qëndrueshëm me energji?”.
“Krijimi i kushteve për furnizim të qëndrueshëm me energji”, quhet kapitulli i shkruar në dokumentin e planit të qeverisë.
“Qeveria do të angazhohet për krijimin e kushteve të favorshme për furnizim të qëndrueshëm e të përballueshëm me energji për të gjithë qytetarët dhe ndërmarrjet e Kosovës, duke konsideruar edhe ndikimin në mjedis. Në këtë aspekt rol kyç do të luaj rritja e efiçencës së energjisë dhe rritja e shumëllojshmërisë së burimeve energjetike. Duke u bazuar në të dhëna, do të rishikojmë strategjinë e energjisë në funksion të harmonizimit me kërkesat energjetike ne vend, si dhe me përpjekjet për përmirësimin e ambientin në të cilin jetojmë. Po ashtu, do të hartojmë planit kombëtar për energji dhe klimë si dhe do të rishikojmë kornizën ligjore që do të bëhet në harmoni të plotë me strategjinë e re të energjisë”, thuhet në këtë kapitull për energjinë.
Ndër të tjera, aty shkruan se do të punojnë në përmirësimin e menaxhimit të kapaciteteve ekzistuese energjetike, si bazë për siguri në furnizim energjetik dhe rrugë e drejtë gjatë tranzicionit e dekarbonizimit energjetik.
“Do të zbatojmë masat ambientale në termocentralin Kosova B dhe dekomisionimin e aseteve jo-funksionale të Kosovës A. Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet shqyrtimit të fizibilitetit të të gjitha mundësive për zhvillimin e sistemit të gazit natyror, si dhe krijimit të tregut sa më konkurrues energjetik. Nëpërmjet Fondit për Efiçiencë të Energjisë (EE), i cili do të jetë i qëndrueshëm financiarisht, do të zbatojmë masat e EE, me synim që skemat financiare të shtrihen edhe në mbështetjen e sektorit privat dhe amvisëri”, thuhet në përfundimin e këtij kapitulli për çështjet e energjisë.
Ndonëse, në Ministri nuk kanë treguar se çka kanë bërë deri më tani lidhur më çështjet e energjetikës, sipas planit të prezantuar të kryeministrit Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ditë më parë ka thënë se kriza energjetike në Evropë pritet të ketë ndikim edhe në Kosovë.
Rizvanolli ka shtuar se qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve.
“Çmimet e energjisë elektrike për një Megavat për orë prej 60 euro sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë kanë arritur në mbi 100 euro dhe çmimet për sot kanë arritur në mbi 200 euro, pra po flasim për shtrenjtim të çmimeve katërfish në Evropë, e cila vjen si pasojë e rritjes së kërkesës dhe pjesërisht si pasojë e uljes së ofertës së gazit natyror nga ana e Rusisë. Hipoteza është për të bërë presion për lëshimin e gazsjellësit ‘Nord Stream II’, mirëpo sido që të jetë është një krizë e thellë energjetike që pritet të thellohet edhe më tej gjatë muajve në vijim”, ka thënë Rizvanolli.
Sipas Strategjisë së Energjisë ishte paraparë investim në kapacitetet e reja gjeneruese për të mundësuar sigurinë e furnizimit me energji, e për këtë Qeveria paraprake kishte zhvilluar një tender të hapur dhe konkurrues, me ç’rast ishte zgjedhur investitori për ndërtimin e gjeneratorit me kapacitet 450 MW.
Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 pati arritur marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 450 MW.
Në fund të vitit të kaluar Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, ka bërë të ditur se kanë marrë njoftimin nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar, për hapjen e kontestit me investitorin Contour Global.
“Më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet mbyllja financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”. Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori Contour Global”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillojë së ndërtuari me 2020, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023 dhe ndërtimi i tij do të kushtonte 1.3 miliard euro.
Por, kompania amerikane Contour Global, e cila ishte përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e termocentralit, më 17 mars të këtij viti ka njoftuar se është tërhequr nga plani për ndërtimin e termocentralit.
Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, pati deklaruar në nëntor të vitit 2019, se nëse zvarritjet e kontratës me Contour Global shkaktohen nga Kosova duke mos i përmbushur obligimet, atëherë Qeveria e Kosovës do të ketë si përgjegjësi financiare ndaj kompanisë ‘Contour Global’ një vlerë prej 19.7 milionë eurosh.
Ndërkohë, kapacitetet e gjenerimit të energjisë elektrike në Kosovë kryesisht dominohen nga termocentralet me linjit Kosova A dhe Kosova B. Këto dy termocentrale bashkërisht kanë kapacitet të instaluar të përgjithshëm prej 1,478 MW. Për shkak të vjetërsisë dhe mos operimit të dy njësive të TC Kosova A, kapaciteti në dispozicion i të dy TC-ve është mjaft më i ulët se sa kapaciteti i instaluar. Së bashku, kapaciteti i gjithmbarshëm në dispozicion i njësive të këtyre termocentraleve arrin rreth 960 MW.
Aktualisht, gjenerimi i energjisë elektrike nga termocentralet mbulon rreth 94% të gjenerimit të përgjithshëm në Kosovë. Përveç gjenerimit nga termocentralet, gjenerimi përkrahet edhe nga hidrocentralet: HC Ujmani me kapacitet të instaluar prej 35MW, kaskada e lumit Lumbardh me kapacitet rreth 26 Mw, dhe centrali me erë AirEnergy-KITKA me kapacitet rreth 32.4 MW, si dhe disa centrale të vogla të kyçura në sistemin e shpërndarjes me kapacitet të instaluar 25.19 MW.
Termocentrali Kosova A ka pesë njësi të cilat janë ndërtuar gjatë viteve të 60-ta dhe 70-ta të shekullit të kaluar. Aktualisht funksionojnë njësitë A3, A4 dhe A5. Njësitë A1 dhe A2 nuk janë në funksion për disa vite. Disponueshmëria e njësive të Kosovës A është rreth 50-60%.
Termocentrali Kosova B përbëhet nga dy njësi me djegie linjiti me kapacitet të instaluar të gjenerimit prej 2×339 MVA. Mes viteve 2000 dhe 2002 janë realizuar projekte të ndryshme për rehabilitimin e këtyre blloqeve. Qëllimi i projekteve të caktuara rehabilituese ka qenë ngritja e nivelit të performancës së TC Kosovës B për të shtuar disponueshmërinë dhe karakteristikat kontrolluese. Termocentrali Kosova B vepron me efiçiencë më të ulët – me kapacitet prej rreth 310 MË për njësi (në prag rreth 265 MË). Njësitë e termocentralit Kosova B së shpejti do të arrijnë fundin e jetëgjatësisë së paraparë të tyre, andaj investime dhe masa të theksuara rehabilitimi ishin planifikuar të realizohen gjatë viteve 2023/2024 për t’i sjellë këto dy njësi në nivelin e standardeve që kërkohen për operim, e me këtë synohej të arrihej edhe niveli i standardeve mjedisore të kërkuara dhe për t’ua zgjatur jetëgjatësinë e tyre, përtej vitit 2039.