Qeveria e Kosovës ka tërhequr projektligjin për Financat e Pushtetit Lokal e ku në këtë projektligj është paraparë edhe granti për investime në komuna apo granti i IV për komunat e Republikës se Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Ky projetkligj është tërhequr me 30 shtator të vitit 2022.
MS: Por çka nënkupton granti IV për komunat e Kosovës?
Përmes këtij granti të gjitha mjetet financiare të cilat investohen nga ministritë e ndryshme, në bazë të kritereve të cilat ato vetë i hartojnë, investohen në projekte ku komunat janë kompetente dhe përgjegjëse.
Pra, në këtë projektligj është menduar që shpenzimi i këtyre mjeteve nuk duhet të bëhet nga niveli qendror, por këto mjete duhet të shkojnë në grantin për investime kapitale në komuna dhe pasataj në bazë të kritereve të shpërndahen në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Për çdo vit shifra arrin prej 80 deri në 100 milionë euro në vit për komunat e Kosovës, e të cilat mjete menaxhohen nga niveli qendror e jo nga komunat, ku kriteret e shpërndarjes së këtyre mjeteve bazuar në projektligjin e dërguar në MFT janë: numri i banorëve të komunave dhe madhësia e sipërfaqes së një komune.
Arsyet e tërheqjes së projektligjit për Fianancat e Pushtetit Lokal nuk janë bërë të ditura nga Qeveria e Kosovës.
Derisa ky ligj të mos jetësohet, të drejtën ekskluzive për ndarjen e granteve apo projekteve për komunat e Kosovës vazhdojnë ta kanë ministrat e Qeverisë së Kosovës, të cilët shpeshherë janë akuzuar nga komunat e Kosovës se po bëjnë ndarje të buxhetit për komunat mbi bazat partiake
“Një ministër i caktuar i një dikasteri mund të ndajë miliona euro për projekte të caktuara në komunat ku qeverisë partia në pushtet e në të njëjtën kohë mund të mos investojë projekte të një rëndësie të veçantë te një komunë tjetër që nuk qeveriset nga partia në pushtetet”, ka thënë një burim i Gazetës.