Lajme

Qeveria rrit pensionet për invalidët, veteranët dhe pjesëtarët e UÇK-së

01/10/2025 12:07
nga:Sh R

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për rritjen e pensioneve për 20 përqind për kategoritë e dala nga lufta.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se rritja prej 20 përqind e pensioneve mbi shumën aktuale do të bëhet për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarët e UÇK-së, viktimat e dhunës seksuale dhe viktimat civile.

“Ashtu siç e patëm bërë njoftimin në tetor të vitit të kaluar, gjatë janarit, sot edhe edhe zyrtarisht do të aprovohet rritja prej 20 përqind e pensioneve mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarët e UÇK-së, viktimat e dhunës seksuale dhe viktimat civile”, tha Kurti.

Më shumë detaje dha Ministri Murati.

“Kjo na është mundësuar përmes nenit 36 të Ligjit për ndarjet buxhetore dhe tanimë mund ta marrim edhe këtë vendim që të përditësohet edhe aneksi që i përcakton vlerat për këto pensione. Më konkretisht pra do të rriten pensionet familjare për familjet e dëshmorëve të UÇK-së, duke filluar nga familja që ka një dëshmor rritja do të jetë 20 përqind, duke vazhduar ata që kanë dy apo tre dëshmorë rritja do të jetë edhe përtej 20 përqind. Ngjashëm do të jetë edhe për pensionet e familjarëve të të zhdukurve të UÇK-së, po ashtu edhe për invalidët e UÇK-së do të rriten të gjitha pensionet prej 20 përqind, e edhe pensionet familjare pas vdekjes së invalidit të UÇK-së.

E njëjta edhe tek familjet e të zhdukurve civilë, si dhe edhe pensionet invalidore personale”, tha Murati.