Analisti Shenoll Muharremi, ka bërë një analizë të një qeverie që i duhet Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qeveria duhet të krijohet në bashkëpunim, duhet të zgjidhet tani nyja e Presidentit, VV dhe Kurti nuk duhet të krijojnë qeveri vetë me pakicat.
Ai ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri stabile kompetente dhe e zgjuar.
“Një koalicion që i adreson nevojat e brendshme dhe sfidat e jashtme. Një qeveri që jo vetëm mundet me u fokusu në ekonomi, por edhe me i ndërmarrë reformat në drejtësi dhe administratë. Mbi të gjitha, një qeveri që rrënjësisht e rimodelon politikën e jashtme të Kosovës”, ka shkruar ai.
Postimi i tij i plotë:
Qeveria që i Duhet Kosovës
Fjalet dhe temat kyqe janë padyshim: Stabilitet, Kompetencë dhe Bashkëpunim. Vizion. Në vijim janë ‘dy-tri fjalë’ për partitë tona në kontekst të zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë:
- Qeverinë duhet me e kriju në bashkëpunim. Duhet me pas koalicione, jo me formu një qeveri të dobët. Nuk duhet me pas qasje eksperimentale, por me apliku parime dhe metoda që sjellin stabilitet dhe kompetencë.
- Nyja e Presidentit duhet me u zgjidh tani, nuk duhet me pas zgjedhje tjera pas një viti. Nuk duhet problemin e sotit me e lanë për nesër, se në të ardhmen ka me qenë më vështirë me e zgjidh. Problemi, nëse e injoron, rritet. Nuk ka asnjë mundësi me u zgjidh kjo nyje pa qenë 2 nga 3 partitë e mëdha pjesë e koalicionit të ardhshëm.
- LVV dhe Albin Kurti nuk duhet me kriju një qeveri vetë me pakicat, edhe nëse munden me i peshku disa deputetë, sikur të Nismës. Ajo qeveri nuk i duhet, jo vetëm Kosovës, por as LVV-së nuk i bën hajr. LVV as nuk ka kapacitete me drejtu qeverinë vetë në kontekstin vendor dhe ndërkombëtar që jemi. I duhet përkrahje në ekonomi, diplomaci dhe projekte të infrastrukturës. LVV është e mirë për mbrojtje, sundim të ligjit dhe drejtësi, në anën tjetër. Duhet me kuptu që pa bashkëpunim kjo parti shkon vetëm teposhtë… deri në 20% në vitin 2030.
- Qytetarët e kanë votu LVV-në me mbi 40%, këtë duhet me kuptu të gjithë. Nuk ka qeveri stabile dhe legjitime pa LVV pjesë të saj. Kot mendojnë njerëzit që opozita duhet me e bë qeverinë e LVV-së me qenë jashtë. LVV nuk është sikur AfD në Gjermani. Kosova fiton kur partitë bëjnë kompromise mes vete, jo kur shkojnë solo. E mos të harrojmë që kjo opozitë nuk ka bashkëpunu mes vete edhe kur ka qenë absolutisht e nevojshme gjatë katër viteve të kaluara. Pse me bashkëpunu këta tash? Nuk kishte me qenë organike, por artificiale dhe me probleme. Nuk besoj as që merren vesh mes vete për postin e kryeministrit. E në anën tjetër, nuk munden me e zhblloku nyjën e presidentit që me pas mjaftueshëm pozita të larta për me u pajtu.
- Partitë, sidomos PDK-ja, nuk duhet me pas pozicione të forta përjashtuese. Kjo nuk është aspak stili i menaxhmentit të ri të saj. Nuk e di kënd po e dëgjojnë kohën e fundit, por kjo çka kemi parë ditët e fundit nuk është e arsyeshme e as në interes të tyre. PDK-ja ka arritur potencialin e saj më 9 shkurt sepje ka qenë e arsyeshme, për reforma tjera i duhet një shtytje nga jashtë. LVV-ja, sado e pazakontë, mundet me qenë shtytësi i saj më i mirë. Në fillim duket “tragjike”, por përfitimet për reformat dhe të ardhmen e partisë janë të jashtëzakonshme për PDK-në. Fundja, Kosovës i duhet plani i Bedri Hamzës në ekonomi, investime dhe politika fiskale.
- LDK-ja duhet me vazhdu me qëndrime konstruktive. Kjo parti është e nënvlerësuar në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ndoshta nuk është në pozitën më të mirë të saj sot, por nesër, me shumë siguri, është një ndër partitë kryesore. Nëse mbetet në opozitë, do të rritet, por jo nëse ka zgjedhje tjera menjëherë apo para 15 muajve. Nëse i hapet dritarja me qenë pjesë e qeverisë ku LDK-ja e drejton qeverinë, duhet me u përfshi. Kjo kishte me qenë fitorja më e madhe e saj dhe nga një pozitë jo shumë e mirë kishte me u kthy në fituese të zgjedhjeve.
- Për fund, Kosovës i duhet një qeveri stabile, kompetente dhe e zgjuar. Një koalicion që i adreson nevojat e brendshme dhe sfidat e jashtme. Një qeveri që jo vetëm mundet me u fokusu në ekonomi, por edhe me i ndërmarrë reformat në drejtësi dhe administratë. Mbi të gjitha, një qeveri që rrënjësisht e rimodelon politikën e jashtme të Kosovës. Në këtë fazë, politika e jashtme nënkupton siguri kombëtare, sovranitet dhe, mbase, qëndrueshmëri të pavarësisë së Kosovës. LVV-ja nuk mundet me drejtu politikën e jashtme të Kosovës me atë që kemi parë deri më tani. Asnjë qeveri e hajrit nuk mundet me u bë pa bashkëpunim të 2 prej 3 partive të mëdha të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit!


