Tërheqja e mjeteve të Trustit vazhdon të jetë një nga çështjet më aktuale, derisa opozita insiston se kjo duhet të lejohet nga Qeveria.
Kjo e fundit, pavarësisht kërkesës, po vazhdon ta kundërshtojë atë, me arsyetimin se kjo nuk e zgjidh problemin e krizës ekonomike.
Se krizën nuk e zgjidh mendon edhe profesori i ekonomisë, Musa Limani, por që sipas tij, zbutet gjendja e rëndë sociale e cila po mbizotëron aktualisht.
“Unë disa herë deri më tani, kam dhënë opinionin tim lidhur me tërheqjen e një pjese të mjeteve të Trustit të pensionistëve, aq më parë kur dihet se ato janë kursime individuale. Kuptohet, ato nuk e zgjidhin problemin social, por e zbusin situatën e rëndë sociale momentale”, ka thënë ai.
Limani në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se vendimi i Qeverisë është jo korrekt, e cila në këtë mënyrë po e ngarkon edhe më shumë gjendjen sociale të qytetarëve të Kosovës.

“Mendoj se, është jo korrekt vendimi i qeverisë për mos tërheqjen e tyre. Mos lejimi i tërheqjes së një pjese të këtyre mjeteve, e duke pasur parasysh nivelin e lartë të çmimeve edhe atë të artikujve ekzistencial jetësor, në një anë dhe nivelin e ulët të pagave, në anën tjetër, punëtorët po detyrohen të marri kredi konsumuese. Kreditë konsumuese në mars të këtij viti, në raport me marsin e vitit të kaluar janë rritë afër 80 milionë euro. Andaj, Qeveria me vetëdije apo pa vetëdije, me pengimin e tërheqjes së një pjese të mjeteve që janë kursime personale të punëtorëve, po e ngarkon edhe më shumë gjendjen sociale, e cila edhe ashtu është tejet e rëndë në Kosovë”, vlerëson ai.
Andaj, profesori thotë se deputetët e pozitës dhe opozitës duhet të votojnë për tërheqjen e këtyre mjeteve, pasi në këtë mënyrë mbrojnë interesin e atyre që i kanë votuar.
“Duke pasur parasysh këto që i cekëm më sipër, mendoj se deputetët nuk duhet të hezitojnë dhe ta aprovojnë tërheqjen e këtyre mjeteve, si të opozitës, ashtu dhe të pozitës, për arsye se ata duhet të mbrojnë interesin e atyre që i kanë votuar. Bile do të shtoja një sugjerim për deputetët e opozitës dhe shoqërinë civile, që të kërkojnë nga Trusti raport se ku janë deponuar këto mjete, për çfarë qëllimi përdoren, si është gjendja aktuale e tyre, etj”, potencon Limani për Gazeta Blic.
Sipas tij, deputetët dhe shoqëria civile duhet të kërkojnë raport për mjetet e Trustit, ku shton se menaxhimi i këtyre mjeteve është enigmë dhe se me to dikush mund të bëjë biznes. Andaj, ai u bën thirrje deputetëve dhe shoqërisë civile që të kërkojnë llogari për menaxhimin e këtyre mjeteve.
“Unë po e zhvilloj tezën e kthimit të këtyre mjeteve nga tregu financiar jashtë Kosovës, në tregun e kapitalit të Kosovës, përkatësisht në sistemin bankar të vendit tonë. Me këtë rast, këto mjete nëpërmjet politikës kreditore do të hyjnë në funksion të zhvillimit ekonomiko – shoqëror të Kosovës, e jo ato të përdoren si faktor material për zhvillimin e vendeve ku ato janë deponuar. Menaxhimi i këtyre mjeteve, për mua personalisht është enigmë e madhe, sa më duket se me këto mjete, dikush bën edhe biznes. Zotëri deputet dhe ju shoqëria civile, kërkoni llogari për menaxhimin e këtyre mjeteve, përkatësisht të djersës së punëtorëve tanë”, deklaron profesori Musa Limani./Gazeta Blic/


