Para pas mesnatës të së dielës, u njoftua se nga mëngjesi i së hënës në Kosovë do të nisin reduktimet e energjisë elektrike.
6 orë me rrymë dhe 2 orë pa rrymë. Kështu thuhej në vendimin e KEDS.
Por, zgjidhja duket se u gjet në pasditen e së hënës.
Ministria e Ekonomisë njoftoi se nuk do të ketë reduktime të energjisë elektrike, pasi Shqipëria po e ndihmon Kosovën me rrymë.
Megjithatë, zgjidhja duket se është e përkohshme.
Lidhur me vendimin për reduktime pati reagime të shumta, duke paralajmëruar dimër tejet të rëndë, derisa reduktimet po nisin qysh tani në verë.
Për krizën ekonomike dhe energjetike, për Gazeta Blic, eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, kritikon qeverinë, që thotë se po i zhgënjen qytetarët çdo ditë, derisa u kishte premtuar zgjidhje e mirëqenie.
Sipas tij, qeveria po e paraqet gjendjen sikur të ishte kohë lufte apo konflikte, për çka nuk ka indikacione.
“Kjo qeveri çdo ditë e më shumë po dëshmon se atë optimizëm që e ka ofruar te qytetarët në zgjidhje se do të jetë qeveri e qytetarit e mirëqenies, çdo ditë e më shumë një zhgënjim i madh por mendoni tani qeveria sillet si ne të ishim një vend në kohë lufte, me gjithë këtë proklamim të krizës energjetike, krizës ekonomike, rritjes së çmimeve dhe sikurse ne tani për tani të ishim në konflikt lufte që tani për tani nuk kemi asnjë indikacion që jemi një shtet që jemi në krizë lufte apo të konfliktit dhe aq më shumë është e papranueshme kur dihet që në kohë të pandemisë dhe në kohë krize ekonomia tkurret çdo ditë, biznese nuk ka diçka më shumë, vetëm më pak, aktiviteti më i vogël, po ashtu populli çdo ditë e më shumë ka tendenca të largimit nga vendi dhe ne nuk mund ta furnizojmë këtë popullatë dhe këto biznese me energji elektrike, është e papranueshme por kjo qeveri deri më tani nuk ka asnjë plan për zhvillim ekonomik, asnjë plan për strategji ekonomike, çdo ditë e më shumë krijon panik, krijon frikë, që qytetari çdo ditë e më shumë po e sheh që kjo qeveri dhe në këtë vend ka më pak shpresë që ajo ta zhvillojë aktivitetin ekonomik, si dhe biznesor, po ashtu edhe jetën qytetare në ekonomi familjare”, vlerëson ai.

Kadriaj për Gazeta Blic thekson se derisa në kohë vere ka krizë me energji, mund të paramendohet se si do të jetë dimri, gjë që do ta dëmtojnë ekonominë, bizneset e qytetarët, të cilët do të mbesin para aktit të kryer.
Ai paralajmëron se kjo gjendje mund të shkaktojë revoltë qytetare.
“Në kohë vere ne nuk kemi furnizim me energji elektrike dhe mund ta merrni me mend që në dimër do të jetë krizë edhe më e madhe. Nëse tani kanë filluar reduktimet, mund ta merrni me mend se çfarë reduktimesh do të ketë gjatë dimrit, ku kjo do ta dëmtojë si biznesin po ashtu edhe qytetarët, pasi dimri energjia elektrike nevojitet për ngrohje dhe qytetari është para një akti të kryer, që nuk e di nga t’ia mbajë, se si t’i ngrohë familjet pasi furnizimi dhe ngrohja me dru është e ndaluar dhe është shumë normale, po ashtu edhe me thëngjill, e në anën tjetër qeveria nuk ofron asnjë alternativë që frika më e madhe është që të ketë revoltë qytetare. Si duket kjo qeveri po tenton që ta sjell një pakënaqësi te qytetarët që të dalë para një akti të kryer që ne nuk mund ta përballojmë këtë qeverisje dhe qytetarët nga revolta të shkojnë në zgjedhje të parakohshme që kjo në fund do ta dëmtojë shtetin e Kosovës dhe mirëqenien ekonomike të qytetarëve”, deklaron eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj./Gazea Blic/


