Lajme

Qeveria nuk merr parasysh e kërkesën e AKK-së për grantin e katërt – A do të favorizohen përsëri komunat e VV’së?

01/29/2024 11:02
nga:G C

Ministria e Financave edhe këtë vit nuk e ka paraparë amandamentimin e ligjit për Financa Lokale, ku aty është i akomoduar granti i katërt për investime kapitale nëpër komuna, raporton GazetaBlic.

Në lidhje me këtë GazetaBlic, ka kontaktuar me drejtorin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ku thotë se pasi një gjë e tillë po ndodhë përsëri, ekziston mundësia që mjetet financiare të ndahen veç në bazë të kritereve politike apo etnike, ashtu si vitin e kaluar.

“Ne kemi kërkuar që ky ligj të futet për amandamentim këtë vit, por nvieli qendror nuk e ka marrë parasysh kërkesën tonë dhe mund të ndodhë që përsëri të vazhdohet me të vjetrën ku mjetet financiare për investime kapitale të ndahen në bazë të kritereve politike apo etnike, ashtu siç ka ndodhë edhe vitin e kaluar”, tha Ibrahimi.

Kjo çështje e cila është ngritë nga kryetarët e komunave nuk po merr mbështetje nga ekzekutivi as këtë vit.

Pra, Granti i katërt do të ishte i vetmi që do ta bënte shpërndarjen e mjeteve financiare nëpër komuna në mënyrë të barabartë.