Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj ka komentuar masën kufizuese për eksportin e disa produkteve bazë, që Kosova është ndër vendet e vetme që vazhdon ta ketë.

Kadrijaj në një prononcim për GazetaBlic, thotë se një gjë e tillë do të ishte e arsyeshme nëse Kosova do të kishte eksport jashtëzakonishtë të lartë, në të kundërtën kjo shkon në dëm të ekonomisë së vendit.
“Do të kishte arsye nëse Kosova do të kishte një eksport jashtëzakonisht të lartë në të gjitha prodhimet, poashtu edhe produktet e konsumit. Kur flasim në nivel eksport-import, Kosova qëndron keq dhe nëse vendosim masa kufizuese për eksport, vlerësoj se kjo do të rëndoj edhe më shumë raportin import-eksport”, thotë Kadrijaj.
Kadrijaj shprehet se Kosova, potencialisht po bëhet një vend importues gjë që sipas tij do ta rëndojë edhe më shumë ekonominë.
Kadrijaj nuk e përjashton mundësinë që indikacionet të jenë në rrijen e çmimeve, teksa përmend edhe rritjen e inflacionet ku sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa të menjëhershmë për të lehtësuar sa më pak këtë çështje.
“Ne kemi importin e lartë dhe nëse e kufizojmë eksportin pak përqind do të rritet edhe më shumë, potencialisht po bëhemi një vend vetëm me importin dhe kjo do ta rëndojë edhe më shumë ekonominë e vendit. Gjasat janë që indikacionet do të jenë në rritjen e çmimeve, për faktin që do të përballemi me çmimet e importit, kjo është evidente”.
“Inflacioni ka vazhdimisht trend të rritjes dhe nëse në këtë drejtim Qeveria nuk merr masa që sado pak të lehtësohet – sepse siç e përmenda nuk e kemi eksportin e lartë, vlerësoj se nuk do të kishte as problem në nivel ndërkombëtar – poashtu edhe nivel kombëtar nëse ka masa lehtësuese, nuk do të thotë që ne po mbulojmë me prodhimet vendore konsumin – për faktin që ne ashtu jemi duke mbuluar konsumin me import, kshtu që çfarëdo eksporti që mund të ndodhë nga ana e Kosovës duhet përshëndetur – nuk duhet Qeveria të marrë masa në këtë drejtim pasi do të rëndojë edhe më shumë aktivitetin ekonomik në vend”, përfundon Kadrijaj për GazetaBlic.
Njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa thotë se duhet me patjetër të heqen masat kufizuese për produktet bazë.

Bellaqa në një prononcim për GazetaBlic, thotë se largimi i këtyre masave do të ndihmonte që të rritej eksporti dhe të zvoglohej importi.
“Që të stimulohet prodhimi i brendshëm në produktet bazike, do të duhej të largohen masat kufizuese, ku do te rritej eksporti e do të zvogëlohej importi”, thotë Bellaqa.
Sipas Bellaqës, në mënyrë që ekonomia e vendit të zhvillohet sa më shumë atëherë, Qeveria e Kosovës duhet të aplikoj reciprocitetin me Serbinë, të heq barrierat doganore e rrjedhimisht të krijojë ekonomi komplimentare.
“Do të duhej të heqen barrierat doganore dhe taksat administrative, dhe të hapet ekonomia më shumë me Shqipërinë, dhe të aplikohet reciprociteti me Serbinë, të krijohen parakushte ligjore dhe praktike për një treg të përbashkët dhe një ekonomi kombëtare”, thotë Bellaqa.
“Të krijohet një ekonomi komplimentare në mënyrë që të shkëmbehen resurset natyrore dhe mbinatyrore, ku do të shndërrohen në produktet bazike dhe të zhvillohet politikat ekonomike drejt një riprodhimi të zgjeruar”.
Bellaqa thotë se kjo do të ndihmonte që të kishim më shumë prodhim e më pak import.
“Prodhimi i brëndshëm është rreth 15%, kjo do të thotë se nuk i plotëson nevojat dhe kërkesat e domosdoshme, e lëre që të kemi produkte për eksport”, thotë Bellaqa./GazetaBlic/


