Kandidati i AAK-së për kryetar të Deçanit për mandatin e tretë, Bashkim Ramosaj, ka shprehur ankesa ndaj nivelit qendror lidhur me kontratën kolektive, e cila ka ndikuar tejet negativisht në komunat e Kosovës.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se nga kjo kontratë, Komunës së Deçanit i janë marrë 70 për qind të buxhetit çdo vit, nga 3.8 milionë euro për investime kapitale.
Ramosaj thotë se nuk kanë gjetur zgjidhje për këtë në ballafaqim me nivelin qendror.
“Këtu ka ndodhur një absurd i llojit të vet sepse Komuna sot është e ngarkuar me një gjë të padrejtë, vendimin për kontratën kolektive e ka marrë dikush tjetër, kurse barra e zbatimit të këtij vendimi u ka rënë komunave, në këtë rast edhe Komunës së Deçanit, që diku 70 për qind të buxhetit, një komunë që ka 3.8 milionë euro buxhet për investime kapitale, që e bëjnë ndryshimin e madh brenda një qyteti, i japin zhvillim një qyteti, kur të merren 70 për qind e këtij buxheti, t’i prishë ato ëndrrat që ti i ke përcaktuar që do t’i realizosh. Këto janë marrë vit pas viti, që vite me një situatë, ku përmbaruesit i kryejnë punët e tyre zyrtare normalisht por në bazë të një kërkese që e kanë qoftë punëtorët e arsimit, qoftë shëndetësisë, qoftë administratës komunale që e kanë një kërkesë që është e padrejtë me komunat. Dhe në krejt këtë ballafaqim kemi kërkuar ballafaqim me Ministrinë e Financave, ministrat e linjës e deri te kryeministri, që ta kenë parasysh këtë padrejtësi që po u bëhet buxheteve komunale por nuk kemi gjetur zgjidhje dhe përtej kësaj unë mendoj se në Republikën e Kosovës, në nivelin qeveritar duhet të jenë ministra ata që e dinë fondin zhvillimor të qytetit, shtetit vet. S’kemi pasur zgjidhje, përtej diskutimeve që i kemi bërë, kanë mbetur në këtë nivel”, ka thënë ai.
Sa i përket bashkëpunimit me qeverinë Kurti, ai ka thënë se kanë pasur bashkëpunim herë pas here me disa prej ministrive por që në përgjithësi ka pasur qasje aspak korrekte, çka thotë se duhet të ndryshojë.
“Kohë pas kohe ne kemi pasur bashkëpunim, jo që s’kemi pasur fare bashkëpunim. Jam i lumtur për bashkëpunimin me ministrinë e infrastrukturës që i kemi bërë disa zgjidhje. Por, s’kemi pasur me ministri të linjave tjera, qoftë me shëndetësinë, arsimin dhe të natyrave tjera. Kemi pasur bashkëpunim të mirë edhe me ministrinë e zhvillimit rajonal, deri diku edhe me ministrinë e kulturës, mirëpo që kemi mundur të bëjmë më shumë. Qasja nuk ka qenë krejt korrekte, një lloj gare e heshtur se kush po është më i zoti për të mos kryer punë dhe kjo garë sado e heshtur është kuptuar. Besoj se kjo logjikë duhet të përfundojë në Kosovë për shkak se zyrtari edhe i nivelit lokal edhe qendror duhet ta ketë parasysh se ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe e kemi obligim që t’ua bëjmë jetën më të lehtë”, është shprehur ai.
Mos formimi i institucioneve edhe 7 muaj pas zgjedhjeve thotë se ka pasur ndikim tejet negativ dhe pasojat po i vuan niveli lokal.
Sipas tij, është tejet tragjike që të përfundojë gati 1 vit pa u shpenzuar buxheti.
“Është e ditur tashmë, nuk ia vlen as të diskutohet cili është ndikimi negativ, kur qeveria dhe parlamenti nuk mund të rishikojnë buxhetin, atëherë është problematika që i vuajmë ne niveli lokal, kur nuk ndan buxhetin dhe nuk e fut në funksion këtë buxhet, normal që në nivelin lokal kjo ndihet shumë, për shkak se na mbesin një pjesë e projekteve të parealizuara. Logjika e të gjitha komunave besoj është se ne të gjithë ndajmë nga një buxhet që është për të joshur institucionet e nivelit qendror, ku bashkohen të dy buxhetet dhe e kryejnë një punë dhe në këtë rast askush nuk ka mandat zyrtar që ta shpenzojë këtë buxhet deri tash. Po shkon gati 1 vit kot, në këtë fazë ku jemi ne si shtet është tepër tragjike të përfundojë 1 vit pa u shpenzuar buxheti dhe pa u kryer një pjesë të obligimeve dhe të punëve që ti i ke projektuar më herët”, ka theksuar kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj./Gazeta Blic/


