Lajme

Qeveria merr nga komunat 236 milionë euro për 4 vite, Ibrahimi paralajmëron për pasojat

09/02/2025 16:35
nga:N K

Që nga viti 2022 e deri më tani, përmes vendimeve gjyqësore, komunave në Kosovë i’u janë marrë 236 milionë euro. Kjo duke u bazuar në vendimin për kontratën kolektive, raporton GazetaBlic.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka folur rreth kësaj çështje në një intervistë për GazetaBlic, duke thënë se komunat janë ato të cilat po i vuajnë pasojat pasi që kur janë nënshkruar këto kontrata niveli lokal s’ka qenë në dijeni fare.

“Kontratat kolektive janë nënshkruar para disa viteve, mirëpo pasojat janë duke i vuajtur komunat. Sepse kur janë nënshkruar këto kontrata kolektive niveli lokal s’ka qenë fare i involvuar as i informuar. Prej momentit kur e kemi kuptuar si asociacion për nënshkrimin e këtyre kontratave dhe kemi marrë informata që barra financiare do t’u bie komunave, kemi reaguar. Kemi dërguar lëndën nga kryetari i komunës së Skenderajt në emër të komunave, në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata ka thënë që nuk jemi kompetent për zgjidhjen e këtij problemi. Dhe pastaj pas pandemisë në vitin 2022, mbi 26 komuna i kanë dërguar këto lëndë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Sa kemi informata Gjykata Themelore e Prishtinës i ka kaluar këto lëndë te Gjykata Komerciale e cila deri më tani nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim sa i përket zgjidhjes së këtij problemi”, tha Ibrahimi për GazetaBlic.

Kryetari i Asociacionit të komunave, tha se prej vitit 2022 komunave u janë marrë 236 milionë, e deri në 28% janë marrë nga kjo shumë për shkak të proceseve përmbarimore.

“Gjatë këtyre viteve prej vitit 2022 deri në gusht të këtij viti, komunave përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore u kanë marrë mbi 236 milionë euro. Për tre vjet e gjysmë kjo shumë është marramendëse në nivelin lokal, e që shumica u kanë marrë për kontratat kolektive dhe zbatimin e tyre. Ku në bazë të analizave që i kemi del që 27% deri 28% janë marrë nga kjo shumë për shkak të proceseve përmbarimore. Për këtë problematikë e kemi informuar ish-nivelin qendror. Kemi pasur diskutime edhe me kryeministrin, edhe me ministrin Murati, edhe me krye parlamentarin, edhe me ish-kryetarin për buxhet dhe financa dhe nuk ka asnjë zgjidhje”, tha ai.

Tutje, ai shton se komunave po u merren mjetet për investime kapitale prandaj ata nuk kanë fonde për të mbuluar shpenzime të tjera dhe mbeten të varur nga niveli qendror.

“Është duke vazhduar trendi që komunave t’u merren mjetet financiare për zbatimin e kontratave kolektive dhe në shumicën absolute të rasteve, po u merren mjetet financi are për investime kapitale. Dhe tani komunat, normal që nuk kanë mjete financiare për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet që kërkohen për shpenzime kapitale dhe po ka mungesa pastaj për investime. Edhe pse 22% e buxhetit total të Republikës së Kosovës shkon në nivelin lokal dhe shuma absolute financiare mbetet në nivelin qendror, komunat janë jashtëzakonisht të varura në mjete financiare nga niveli qendror. Për këtë arsye kemi kërkuar që disa vite të mos t’u merren mjetet financiare sepse buxhetet e tyre janë të varfra. Fajin për probleme e ka niveli qendror, sepse në asnjë rast nuk ka treguar gatishmëri ta zgjidhë këtë problem i cili është shumë serioz në nivelin lokal. Këtë çështje të gjithë kryetarët e komunave, pa marrë parasysh përkatësinë politike, janë një zë”, tha ai.

Sipas Ibrahimit, trendi marrjes së mjeteve financiare nga komunat është në rritje, ai thotë se në të ardhmen do të ballafaqohen me mungesë të fondeve për shpenzime bazike.

“Po shihet që trendi i marrjes së mjeteve në komuna është në rritje nga vendimet gjyqësore:

  • Në vitin 2022 ka qenë 36 milionë euro
  • Në vitin 2023 ka qenë 40 milionë euro
  • Në vitin 2024 ka shkuar mbi 86 milionë euro
  • Në vitin 2025 deri më tani në gusht 73.5 milionë euro dhe trendi është në rritje.

Kryetarët në të ardhmen do të ballafaqohen me këto probleme si mungesë të investimeve kapitale, mungesë financiare për subvencione, mallra dhe shërbime, pagesën e komunalëve”, tha ai për GazetaBlic.