Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes të mbajtur në mëngjes ka marrë një vendim për çmimin e karburanteve në vend, raporton Gazeta Blic.
Këtë vendim e ka paraqitur ministrja Rozeta Hajdari e cila ndër të tjera ka thënë se ka mos përputhje të çmimeve të karburanteve në Kosovës dhe çmimit në tregun botëror.
Por se çka përmban ai vendim i Qeverisë, nuk po e dinë as naftëtarët në vend.
Fadil Berjani ka thënë për Gazeta Blic se ende nuk e posedojnë vendimin e Qeverisë.
“Ne ende nuk e kemi pranuar vendimin nga Qeveria. Si dhe ende nuk e kemi mbajtur takimin me përfaqësues te kompanive që tregtojnë naftë në Kosovë’, ka thënë shkurt ai.
Gjatë mbledhjes , ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, në fjalën para kabinetit qeveritar tha se si ministri kanë vërejtur mospërputhje në çmimin e naftës në treg dhe propozimi ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorit.
“Qeveria me akt nënligjor të përcaktojë çmimin e karburanteve të naftës që bëhet për të mbrojtur konsumatorin dhe për të rregulluar konkurrencën. Në bazë të evidencave që ka Ministria e Tregtisë, ka mospërputhje në çmimet e naftës në treg. Udhëzimi në fjalë është përgatitur në koordinim me Ministrinë e Financave dhe me këtë udhëzim propozoj përcaktimin e menjëhershëm të çmimit maksimal të lejuar për derivatet. Në emër të Ministrisë së Tregtisë i propozoj qeverisë miratimin e udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimit të karburanteve të naftës”, tha Hajdari.
Kabineti qeveritar me shumicë votash miratoi propozimin e Ministrisë së Tregtisë, Indrustrisë dhe Ndërmarrësisë.


