Lajme

Qeveria mbush 6 muaj, Kurti: Do të punojnë për një shoqëri me mundësi të barabarta

09/22/2021 21:34
nga:M K

Kryeministri Albin Kurti përmes një statusi në Facebook, ka përmbledhur vendimet e sotme që kabineti i tij qeveritar ndërmori gjatë ditës së sotme, e që përkoi me 6-mujorin e votimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës.

Me këtë rast Kurti ka thënë se do të punojnë për një shoqëri me mundësi të barabarta për të gjithë.

Ky është statusi i plotë i kryeministrit Kurtit:

Mbledhja e 36-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkoi me 6 mujorin e votimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës.

Në përputhje me zotimet tona, sot ndërmorëm një hap shumë të rëndësishëm, e themeluam Komisionin Ekzekutiv, që është parakusht për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës.

Ndamë 2 milionë euro për bursa për studentë dhe për aftësimin e të rinjve në fushën e Teknologjisë së Informacionit.

Pas plot 10 vitesh mosfunksionimi të Këshillit Kombëtar të Shkencës, miratuam përbërjen e re, që është trupi qendror politikëbërës për veprimtarinë kërkimore-shkencore në Kosovë.

Për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, iniciuam procedurën për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet MAShTI-it dhe Komisionit Evropian për programin HORIZON EUROPE, si dhe miratuam nismën për lidhjen e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet MAShTI-it dhe ShBA-së për shkëmbim akademik përmes programit Fulbright.

Jemi zotuar se do të punojmë për një shoqëri me mundësi të barabarta për të gjithë, andaj sot miratuam Planin Nacional për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara 2021-2023. Ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha t’i ndihmojmë më së shumti.

Për të siguruar qasje në shërbime shëndetësore, angazhimin e specializantëve e vlerësojmë si çështje me prioritet për vendin. Andaj për 578 specializantë me vetëfinancim, përfshirë 58 nga Lugina e Preshevës vazhduam pagesat edhe për muajt nëntor e dhjetor, në vlerë prej 730.000 eurove.

Ndamë 55.700 euro ashtu që të mbulohen shpenzimet për 34 inspektorë sanitarë shtesë në AUV, duke ngritur numrin e inspektorëve sanitarë në 119. Ndërsa me miratimin e projektligjit për inspektimet, hodhëm themelet për reformimin dhe bashkërendimin e inspektorateve.

Në kuadër të Instrumentit të Përafrimit me Acquis të BE-së, miratuam katër nisma: Amendamentimin e Marrëveshjeve dhe kerkesat per autorizim nga Presidentja.

Për zhvillimin ekonomik të vendit dhe eliminimin e barrierave tregtare, shfuqizuam rregulloret dhe aktet e trashëguara nga ish-Jugosllavia, i dhamë subjektit “Kosmonte Foods” shpk statusin e investitorit strategjik për projektin investiv në vlerë 11 milionë euro.

U jemi mirënjohës përherë për ndihmën që na e dha shteti i Kroacisë, në aksidentin tragjik në Slavonski Brod. Andaj, nisma që miratuam sot, për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë për ndihmën e ndërsjellë në rast të fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga faktori njeri, është e rëndësisë së veçantë.