Lajme

Qeveria malazeze i thotë jo zgjedhjeve të Serbisë në Mal të Zi

03/21/2022 17:42
nga:Astrit Gashi

Qeveria e Zdravko Krivokapiqit dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi kanë refuzuar kërkesën e Ambasadës së Republikës së Serbisë për hapjen e vendvotimeve për zgjedhjet serbe që do të zhvillohen me 3 prill, kanë raportuar mediat malazeze, përcjelle Gazeta Blic.

Kërkesa u paraqit për qendrat e votimit në Beran, Sutomore dhe Budvë, ku shtetasit serbë me banim në Mal të Zi do të mund të votonin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, parlamentare dhe lokale.

Për ta bërë më të lehtë për qytetarët e saj në Mal të Zi ushtrimin e të drejtës së votës, Serbia dërgoi kërkesë për hapjen e tri qendrave të reja të votimit, por qeveria në largim, e refuzoi kërkesën e Beogradit zyrtar.

Kështu, qytetarët e Serbisë, kryesisht persona të zhvendosur nga Kosova, në zgjedhjet e ardhshme të Serbisë do të mund të votojnë ekskluzivisht në ambientet e Ambasadës së Serbisë në Podgoricë dhe Konsullatës serbe në Mal të Zi.