Lajme

Qeveria Kurti njofton mërgimtarët për pagesat e polisave të sigurimit

03/31/2022 15:19
nga:Donika Fetahu

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se është lansuar formulari elektronik për subvencionimin e policave kufitare për të gjithë bashkëatdhetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës gjatë vitit 2022.

Në njoftim, ministria ka bërë të ditur se bashkatdhetarët që kanë paguar vlerën e plotë të primit në pikat kufitare, mund të aplikojnë për rimbursim.

“Aplikimin për rimbursim mund ta bëjnë të gjithë bashkatdhetarët që kanë paguar policën kufitare nga data 1 janar 2022 përmes aplikimit në vjegëzën në vijim: https://masa4-5.rks-gov.net”, thuhet në njoftim.

Nga MFPT-ja kanë bërë të ditur se me këtë veprim synon që të lehtësojë barrierat për mërgatën, deri në një zgjidhje të përhershme për Kartonin e Gjelbër, çështje kjo e cila sipas ministrisë veçse është duke u trajtuar në vazhdimësi nga kjo ministri dhe ministritë e linjës.

Njoftimi i plotë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve:

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se është lansuar formulari elektronik për subvencionimin e policave kufitare për të gjithë bashkatdhetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës gjatë vitit 2022.

Ndryshe nga herët e kaluara, këtë vit subvencionimi për polica kufitare do të bëhet duke rimbursuar bashkatdhetarët me vlerën e plotë të primit që kanë paguar në kufi. Aplikimin për rimbursim mund ta bëjnë të gjithë bashkatdhetarët që kanë paguar policën kufitare nga data 1 janar 2022 përmes aplikimit në vjegëzën në vijim: https://masa4-5.rks-gov.net/

Në formën elektronike duhet të plotësohen të dhënat personale, të dhënat për policën dhe automjetin, si dhe të dhënat bankare të përfituesit në një bankë në Kosovë. Në këtë rast, përfitues mund të jetë edhe familjari që jeton në Kosovë. Aplikimet do të shqyrtohen dhe verifikohen në baza mujore dhe vlera e rimbursimit të policës kufitare do të transferohet në llogarinë bankare të përfituesit në fund të çdo muaji.

Duke vlerësuar lartë kontributin e diasporës tonë në zhvillimin ekonomik të vendit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve synon që të lehtësojë barrierat për mërgatën tonë, deri në një zgjidhje të përhershme për Kartonin e Gjelbër, çështje e cila veçse është duke u trajtuar në vazhdminësi nga MFPT dhe ministritë e linjës.