Lajme

“Qeveria Kurti 3 do të bëhet”/ Mefail Bajqinovci tregon me kë do ta formojnë qeverinë – apel opozitës të mos e pengojë

10/16/2025 14:40
nga:G B

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se shumë shpejt do të formohet Qeveria Kurti 3.

Ai ka thënë se opozita nuk duhet të bllokojë, teksa për formim të qeverisë ka përmendur Nismën dhe disa deputetë të caktuar.

“Ne nuk zhagisim, jemi për formim të qeverisë jo si opozita që ka bllokuar. Për formim të qeverisë sa i përket partive kemi biseduar me Nismën atëherë dhe edhe me disa deputetë të caktuar do të bëhet Qeveria Kurti 3”, është shprehur ai.

Por, me cilët deputetë kanë biseduar nga VV për qeverinë e re?

Bajqinovci thotë se kjo është në diskrecion të Kurtit.

“Është në diskrecion të mandatarit Albin Kurti, i cili do të vazhdojë bisedimet. Opozita dhe deputetët të mos e çojnë vendin në zgjedhje për teke dhe të vazhdohet me qeverisje”, ka theksuar ai.

Ende thotë se nuk e di kur do të thirret seanca për qeverinë e re, por që kanë mbetur edhe 10 ditë deri në përfundim të afatit.

“Nuk dihet s’kemi konfirmim por shumë shpejt, java e ardhshme besoj se s’kemi kur tjetër, deri në të dielën e ardhshme e kemi afatin, mbetet në diskrecion të kryeministrit se kur do të na tregojë t’i bëjmë përgatitjet për seancën solemne”, shton Bajqinovci për Gazeta Blic.

Sa i përket zgjedhjeve, ai kritikon partitë ish opozitare për arrogancë, teksa thotë se qytetarët nuk meritojnë zgjedhje në një kohë kaq të shkurtër.

“Opozita e ka një arrogancë të jashtëzakonshme se po shkojmë në zgjedhje, LDK e PDK kanë thënë kështu. S’mendoj se duhet shkuar në zgjedhje çdo 7-8 muaj. Opozita na vonoi 6-7 me Kuvend dhe në fund votoi. Mendoj se tani nuk duhet të pengojnë qeverisjen. Prandaj u bëj apel që të votohet qeveria dhe të vazhdohet me punë të mirë siç kemi bërë. Treguesi më i mirë është fitorja në 4 komuna se ne kemi qeverisje të mirë në nivelin qendror dhe do t’i fitojmë edhe 12 komunat në balotazh”, vlerëson ai.

Megjithatë, deputeti thotë se VV është e gatshme për zgjedhje, nëse deputetët nuk tregojnë mirëkuptim për formim të qeverisë së re.

“Jemi të gatshëm për zgjedhje por nuk tregoj arrogancë të them shkojmë në zgjedhje. Ne kërkojmë që të bëhet qeveria Kurti 3 por nëse nuk ka mirëkuptim nga deputetë të caktuar dhe opozita, atëherë nuk na mbetet tjetër vetëm të shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/