Lajme

Qeveria i reagon Haradinajt pas deklaratave të tij për mos trajtim të protezave të invalidëve të luftës

12/28/2021 10:26
nga:Y I

Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së i ka reaguar Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinajt i cili akuzoi Qeverinë Kurti se nuk po i trajton invalidët e luftës.

Nga kjo zyrë thonë se nuk ka pranuar kërkesë për protezat e invalidëve veteranë dhe se kërkesa e fundit për proteza për invalidë veteranë të cilat nuk janë trajtuar.

Kërkesa e fundit në lidhje me protezat për invalidë veteranë ka ndodhur vitin e kaluar, pra gjatë qeverisjes së kaluar.

“Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, ju informon se nuk ka pranuar kërkesë për sa i përket protezave për invalidë veteranë e të cilën nuk e ka trajtuar. Kërkesa e fundit në lidhje me protezat për invalidë veteranë ka ndodhur vitin e kaluar gjatë qeverisjes së kaluar, ku është ndarë buxhet dhe shoqata e invalidëve veteranë është në zbatim e sipër të asaj kërkese. Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së është e hapur për shqyrtim dhe trajtim të çfarëdo kërkese, dhe çështjet e këtilla si ofrimi i protezave për invalidë veteranë do të konsiderohen ashtu siç edhe janë, esenciale. Synim e zotim i joni është institucionalizimi i këtyre shërbimeve, në mënyrë që të ketë organizim e strukturim të ofrimit të tyre dhe kujdesi për invalidët veteranë të jetë maksimal”, thuhet në reagimin e Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së.

Haradinaj shkroi në “facebook” të dielën se “Gjatë Luftës Çlirimtare, mijëra bashkëluftëtarë u plagosën dhe u lënduan, e shumë prej tyre kanë nevojë për proteza për të ecur, parë e funksionuar normalisht në jetën e përditshme. Ato proteza duhet të ndërrohen periodikisht dhe pasi që janë të papërballueshme për xhepin e invalidëve, zakonisht qeveria merr përsipër këto shpenzime. Në mungesë të trajtimit dhe kujdesit për invalidët e luftës nga kjo qeveri, ka pasur organizim nga bashkatdhetarët, në rastin e ndërrimit të protezave për luftëtarët e dalluar të UÇK-së Naim Qerimaj dhe Selmon Hasanaj. Falënderoj veçanërisht bashkatdhetarët Shkelzen Sadikaj dhe Bajram Mulaj, si dhe secilin emër për emër që kontribuoi për këta luftëtarë lirie. Janë edhe shumë të tjerë që kanë nevojë për këtë ndihmë. Kërkoj që qeveria e Kosovës të mos neglizhojë detyrat e veta dhe obligimin që e kemi për Invalidët e Luftës dhe sikur qeveritë para saj, të mbështes këtë trajtim të nevojshëm shëndetësor”.

Dalin detaje të reja: Ja kush është babai shqiptar që dyshohet se vrau dy fëmijët e mitur, plagosi bashkëshorten dhe pastaj u vetëvra