Lajme

Qeveria i reagon BE-së: Ua dërguam raportin 48-faqësh për sulmin e Banjskës – asnjë masë ndaj Serbisë, Radojçiq ende i lirë

06/25/2024 15:16
nga:G B

Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova nuk ka dërguar asnjë raport për sulmin terrorist në Banjskë.

Kështu tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kur u pyet se pse nuk është sanksionuar Serbia për këtë sulm, teksa shtoi se kjo s’mund të bëhet pa një hetim të detajuar.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic është deklaruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ai thotë se Qeveria ka përpiluar një raport 48 faqesh për këtë sulm dhe ia kanë dërguar BE-në dhe secilit shtet anëtar, qysh vitin e kaluar.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtar qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë. Nëse ai në deklaratat e tij të vazhdueshme e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga vetë ky institucion”, thotë Kryeziu.

Ai shpreh shqetësim dhe thotë se është e pakuptimtë që edhe 9 muaj pas sulmit, s’ka ende aktakuzë nga prokuroria e vendit për Millan Radoiçiq dhe në anën tjetër BE s’ka vënë masa ndaj Serbisë, pavarësisht fakteve.

Ai ka kujtuar se Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon.

“Për ne, mbetet tejet shqetësuese dhe e pakuptimtë që edhe pas 9 muajve, në njërën anë nuk ka aktakuzë nga prokuroria e vendit për Millan Radoiçiq dhe në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve që dëshmojnë përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023. Rikujtojmë që Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”, deklaron Përparim Kryeziu./Gazeta Blic/

 

BE-ja thotë se Kosova ende nuk dorëzoi një raport për sulmin terrorist në Banjskë