Lajme

Qeveria i përgjigjet Stanos: Marrëveshja e Brukselit ka në qendër njohjen reciproke – çdo mirëkuptim ndaj Serbisë e dëmton normalizimin

07/03/2024 18:05
nga:G B

Njohja është larg dhe qëllimi është normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic janë deklaruar nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thotë se marrëveshja e Brukselit në qendër e ka njohjen reciproke de fakto dhe është rrugë për njohjën de jure.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse Serbia po e refuzon nënshkrimin e saj.

“Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit në Bruskel e dalë nga propozimi evropian në qendër të saj të paktën njohjen reciproke de fakto dhe është rrugë për njohje reciproke de jure. Zbatimi i plotë i saj e mundëson njohjen reciproke. Andaj ky është insistimi ynë dhe në të njëjtën kohë ky është shpjegimi se pse Serbia refuzon ta nënshkruajë dhe zbatojë atë në plotëni”, thekson Kryeziu për Gazeta Blic.

Ai potencon se çdo mirëkuptim ndaj Serbisë dhe lirim nga obligimet e saj, e dëmton marrëveshjen bazike dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“Çfarëdo mirëkuptimi ndaj pozicionit të Serbisë, në vend të presionit ndaj saj apo deklarimi i pamatur që e liron Serbinë nga obligimet e saj dhe pritjes prej saj vetëm sa e dëmton Marrëveshjen Bazike dhe normalizimin e marrëdhënieve”, deklaron zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu./Gazeta Blic/