Lajme

Qeveria: Historia e familjes Jashari do të rrëfehet në mënyrë dinjitoze dhe me krenari

04/06/2022 21:46
nga:Q R

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar komisioni i ekspertëve i angazhuar nga Komiteti ndër-ministror për Kompleksin Memorial Adem Jashari, në përbërje të ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar, kanë zhvilluar vizitat në terren tek ky kompleks.

Në njoftimin e lëshuar në rrjetin social Facebook thuhet se komisioni i ekspertëve gjatë muajve në vijim do të vazhdojnë me punën në përgatitjen e detyrës projektuese për shpalljen e konkursit për master planin e kompleksit.

“Ekspertë nga fusha e konservimit të trashëgimisë kulturore, arkitekturës, historisë, antropologjisë, ndërtimtarisë dhe peizazhit kulturor, të udhëhequr nga historiania e arkitekturës dhe eksperte në fushën e trashëgimisë kulturore, dr.Amra Haxhimuhamedoviç kanë zhvilluar vizitë pune në kompleks, duke u takuar dhe biseduar me familjarët, duke parë nga afër vendin dhe mbledhur dokumentacion për të zgjeruar më tej hulumtimin në fushat specifike lidhur me kompleksin”.

“Gjatë këtyre vizitave, ekspertët u shoqëruan edhe nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministri i Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, të cilët njëkohësisht janë edhe anëtarë të komitetit ndërministor”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.