Lajme

Qeveria emëron drejtor në MINT të dyshuarin për rastin me rezerva shtetërore

3 ditë më parë
nga:G C

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Irfan Lipovica është emëruar drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit në ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Lipovica, së bashku me Ridvan Muharremin dhe një zyrtar tjetër nga MINT-i qenë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Sipas Prokurorisë, Lipovica kishte vepruar me dijeni të plotë duke anashkaluar procedurat e hapura të prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Në dosjen e Prokurorisë thuhej se më 25 shkurt të vitit 2022, Lipovica i kishte adresuar Qeverisë së Kosovës një kërkesë për përjashtimin e procedurave të rregullta të Prokurimit dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete”, me qëllim kufizimin e konkurrencës dhe fshehjen e shkeljeve ligjore.

Bazuar në këtë kërkesë të kundërligjshme, Qeveria e Kosovës kishte nxjerrë një vendim për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022.

Ky vendim, sipas Prokurorisë, kishte anashkaluar procedurat e hapura të Prokurimit publik.