Lajme

“Qeveria e zënë me propaganda politike, qytetarët mezi sigurojnë bukën e gojës”

09/25/2025 21:39
nga:N K

Qytetarët e Republikës së Kosovës, që pas rritjes globale të inflacionit, po përballen me një realitet “problematik” ekonomik.

Çmimet e produkteve kanë vazhduar trendin e rritjes, nderkohë që fuqia blerëse e qytetarëve po bie. Ushqimet, energjia elektrike dhe produktet bazë janë bërë më të shtrenjta, ndërsa pagat nuk kanë ndryshuar. Sipas të dhënave të fundit të Agjenicisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e inflacionit në gusht të vitit 2025 arriti në 4.5%, me rritje të çmimeve të theksuara në kategori si energjia elektrike, produktet ushqimore dhe shërbime të tjera bazë.

Rritja e çmimeve, e kombinuar me nivelin e pandryshuar të pagave dhe me nivelin e papunësisë në Kosovë, po krijon situatë të komplikuar ekonomike në vend.

Por, çfarë është inflacioni? 

“Inflacioni është rënia e fuqisë blerëse të një monedhe të caktuar me kalimin e kohës. Një vlerësim sasior i shkallës me të cilën ndodh rënia e fuqisë blerëse mund të reflektohet në rritjen e një niveli mesatar çmimi të një shporte mallrash dhe shërbimesh të zgjedhura në një ekonomi gjatë një periudhe kohore. Rritja e çmimeve, e cila shpesh shprehet në përqindje, do të thotë që një njësi e monedhës blen në mënyrë efektive më pak se në periudhat e mëparshme. Inflacioni mund të krahasohet me deflacionin, i cili ndodh kur fuqia blerëse e parasë rritet dhe çmimet bien”. 

Lidhur me këtë çështje, Arton Muhaxheri, njohës i ekonomisë, në një prononcim për GazetaBlic, ka thënë se inflacioni në Kosovë ka rrënuar fuqinë blerëse të qytetarëve dhe fajëson qeverinë që, sipas tij është e zënë me propaganda politike, ndërkohë që po qëndron pasive karshi kësaj situate.

“Inflacioni ka rrënuar fuqinë blerëse të qytetarëve, ndërsa qeveria po qëndron pasive. Sot, me të njëjtën pagë qytetarët blejnë gjysmën e shportës së dikurshme. Pushteti është më i zënë me propagandë sesa me politika reale për ta mbrojtur standardin e qytetarëve”, ka deklaruar Muhaxheri.

Ai ka theksuar se rritja e çmimeve është më e ndjeshme në sektorë kyç të konsumit ditor, duke thelluar kritikat për qeverinë që, sipas tij ka dështuar t’i mbrojë qytetarët e vendit nga abuzimi i tregtarëve dhe kriza globale.

“Çmimet janë rritur kudo, por më së shumti tek ushqimi, energjia dhe transporti. Këto janë fusha ku shteti duhet të garantojë stabilitet, por në vend të kontrollit të tregut, kemi kaos dhe spekulime. Qeveria ka dështuar t’i mbrojë qytetarët nga abuzimi i tregtarëve dhe nga kriza globale”, ka thënë ai.

I pyetur për ndikimin e kësaj situate në varfëri dhe pabarazi sociale, Muhaxheri tha se kategori që jetojnë më paga minimale janë braktisur nga institucionet dhe sipas tij, çdo ditë e më shumë po shtohen familje që mezi sigurojnë “bukën e gojës”.

Në përfundim, përgjegjësinë e krejtë kësaj situate, Muhaxheri ia hedh mbi supe pushtetit aktual.

“Varfëria dhe pabarazia janë rritur ndjeshëm. Ata që jetojnë me paga minimale, pensione apo ndihma sociale sot janë të braktisur nga institucionet. Për çdo ditë po shtohen familjet që mezi sigurojnë bukën e gojës, ndërsa qeveria i kthen shpinën realitetit. Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i papërgjegjësisë dhe paaftësisë së pushtetit aktual”, ka përfunduar Muhaxheri për GazetaBlic.

Ndërkaq, Jakup Bellaqa, njohës i çështjeve ekonomike, në një prononcim për GazetaBlic,  ka thënë se rritja e inflacionit ka ndikim negativ sepse bashkë më të rriten çmimet për konsum dhe si vijon bie fuqia blerëse e qytetarit.

“Rritja e inflacionit ndikon negativisht sepse rriten çmimet për konsum dhe shërbime, dhe/ose me rritjen e këtyre çmimeve drejtpërdrejt ndikon në fuqinë blerëse sepse me të njëjtën sasi të parave blen më pak produkte për konsum ose të mira materiale për konsum”, ka deklaruar Bellaqa.

Ai thekson se pagat nuk ndjekin ritmin e inflacionit dhe kjo gjendje prekë më së shumti familjet që kanë të hyra të uleta, si familjet me mbështetje sociale dhe me kategoritë pensionale.

“Ndërsa pagat fikse rriten shumë ngadalë dhe e veshtirëson zinxhirin furnizues të produkteve jo elastike, perkatësisht produkteve elementare bazike, përkatësisht jetësore, ku më së shumti e kërcënon jetën ekonomiko-sociale te kategoritë me të hyrat e ulëta si tek ato me mbështetje sociale dhe kategoritë pensionale”, pontencon Bellaqi.

Ndër të tjera, njohësi i çështjeve ekonomike, ka theksuar edhe sektorët që preken më së shumti nga rritja e inflacionit dhe rritja e çmimeve.

“Ndërsa, sa i përket se në cilët sektorë ndikon më së shumti: në sektorin financiar, konsumit, prodhimit/industrisë, investimeve, ndërtimtarisë, në sektorin publik, në buxhetin/arkën e shtetit, ku ndikon gjithashtu në rritjen ekonomike dhe përkeqësimin e mirëqenies ekonomike dhe sociale”, ka përfunduar ai./Gazeta Blic/