Lajme

Qeveria e Malit të Zi i bie ‘pishman’, vendos të dërgojë ushtarë në misionin e KFOR-it në Kosovë

05/20/2021 21:18
nga:M K

Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi dy ditë më parë kishte deklaruar se sivjet nuk do të dërgojë ushtarët e saj në Kosovë, por kjo ministri sot ka njoftuar se Ushtria e Malit të Zi vazhdon të marrë pjesë në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe se vendimi për zgjerimin e misionit nuk ka mundur të merrej për shkak të situatës së shkaktuar nga coronavirusi, kufizimeve të caktuara buxhetore dhe vonesave në miratimi i Buxhetit 2021.

Në njoftimin e Ministrisë, të cilin e transmetojnë mediat, thuhet se për aktivitete të tilla serioze, siç është pjesëmarrja në misione ndërkombëtare dhe aktivitete ushtarake jashtë vendit, fondet planifikohen paraprakisht dhe është e zakonshme që procesi i planifikimit, trajnimit, përgatitjes dhe dërgimit në mision të zgjasë një kohë më të gjatë.

“Lidhur me këtë theksojmë se aktivitete të tilla nuk mund të realizohen pa një proces planifikimi cilësor”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Mbrojtjes, duke kujtuar se Mali i Zi ka qenë i pranishëm në misionin e KFOR me dy pjesëtarë të saj që nga viti 2018, transmeton Telegrafi.

Sipas kumtesës, Ushtria e Malit të Zi aktualisht merr pjesë në misionin e KFOR me një oficer shtabi si Zëvendës Shef i Inxhinierisë në Departamentin e Inxhinierisë dhe Planeve në Komandën e Misionit në Prishtinë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi merr pjesë me një civil si këshilltar i burimeve njerëzore në ekipin e NATO-s për ndërlidhje, në Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

Në Ministrinë e Mbrojtjes theksojnë se Mali i Zi është dhe do të mbetet një aleat i besueshëm, duke vlerësuar se rajoni transatlantik nuk mund të jetë i qëndrueshëm dhe i sigurt pa një Ballkan Perëndimor të integruar.

“Duke pasur parasysh se një nga prioritetet tona është një rajon i sigurt dhe i prosperuar, Mali i Zi do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në forcimin e stabilitetit rajonal. Në përputhje me rrethanat, ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e NATO-s në Kosovë, për aq sa kemi mundësi”, thuhet në kumtesë.

Javën e kaluar, pas një takimi me Presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se dërgimi i trupave në misionin në Kosovë ishte një vendim kombëtar i Malit të Zi, duke thënë se Aleanca do të mirëpriste kontributin e Malit të Zi në misionin e KFOR.

Gjukanoviq tha se nuk ekziston ndonjë arsye pse Mali i Zi të mos marrë pjesë në misionin e KFOR-it. Ai shtoi se kjo ka të bëjë me “hamendje të natyrës politike”.

“Dyshimet përpiqen t’i forcojnë ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës, të cilët ende mendojnë se ky ka qenë një gabim dhe të cilët përpiqen të kthejnë rrotën e historisë”, tha Gjukanoviq, duke rikujtuar se qëndrimi i qeverisë së mëparshme ishte se duhet të rritet prania ushtarake në Kosovë.

Gjukanoviq tha se është edhe obligim i Malit të Zi, si shtet nga rajoni, që edhe më shumë se shtetet tjera të japë kontributin e tij si anëtar i NATO-s, për stabilitetin e rajonit.

Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi dy ditë më parë kishte thënë se ushtria e këtij shteti, këtë vit nuk do të dërgojë një togë këmbësorie në misionin e KFOR-it në Kosovë.

“Për shkak të situatës së krijuar nga coronavirusi dhe për shkak të kufizimeve buxhetore, ushtria e Malit të Zi nuk planifikon më 2021 të kryejë aktivitete dhe ushtrime të përbashkëta, trajnime ose angazhim të togjeve të këmbësorisë në misionin e KFOR-it në Kosovë”, thanë për REL nga Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi kur u pyetën për arsyen se pse kanë hequr dorë nga dërgimi i trupave në misionin e KFOR-it.

LEXO EDHE:

Ekspertët thonë se marrëveshja e Thaçit me NATO-n për FSK-në mund të rishikohet