Lajme

​Qeveria e Kosovës nis përgatitjet për financim të projekteve infrastrukturore nga fondet e BE-së

05/10/2024 20:19
nga:Sh R

Komisioni për Planifikim Strategjik ka diskutuar sot mbi përgatitjet për financim të projekteve infrastrukturore nga fondet e Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë zhvillimorë në Kosovë.

Kryeministri, Albin Kurti tha se si kërkesë nga Procesi i Berlinit, Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore në Kosovë, e hartuar fillimisht në vitin 2015, është përditësuar në vitin 2017 për sektorin e mjedisit, transportit, energjisë dhe sektorit social.

Ai theksoi se Kosova nga Plani i Rritjes së BE-së pritet të përfitojë rreth një miliard euro, ku gjysma e kësaj shume do të ofrohet për investime infrastrukturore në sektorët e transportit, energjisë, sektorit digjital dhe kapitalit njerëzor.

“Projektet e kapitalit njerëzor do të jenë pjesë e listës prioritare të sektorit social. Sektori i mjedisit do të vazhdojë të jetë nga ËBIF, por grantet e ofruara për mjedisin nuk burojnë nga pakoja financiare e Planit të Rritjes, por nga fondet IPA rajonale përmes WBIF dhe kriteret e aplikimit pritet të jenë të njëjta”, tha Kurti.

Ai edhe përmendi aplikimet e deritanishme të Kosovës të miratuara nga Bordi Operacional i WBIF, duke mundësuar përfitimin e granteve në vlerë totale prej 57.6 milionë eurosh.

“Javën e kaluar Këshilli Ministror për Integrim Evropian diskutoi për Agjendën e Reformave, një dokument kryesor për detyrimet e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së. Kryerja e reformave në të gjithë sektorët dhe fushat që matet me treguesit e Agjendës së Reformave ndërlidhet direkt me vëllimin e përfitimit të fondeve të Planit të Rritjes që realizohen përmes WBIF”, u shpreh Kurti.

Ndërkaq, ministritë e linjës më takim prezantuan listat me prioritet në mjedis, transport dhe energji.

Tutje në komunikatë thuhet se zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi theksoi se qëllimi i kësaj liste është prioritizimi i projekteve me të cilat do të aplikohet në instrumentet për financim të ofruara nga BE dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Përgjatë kësaj mbledhjeje u votuan dhe Grupet Punuese Sektoriale për përzgjedhjen e projekteve në kuadër të Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore për sektorin social dhe infrastrukturën digjitale.