Lajme

Qeveria e Kosovës ndanë 40 mijë euro për familjen Sadrija nga Ujzi i Gjakovës që ditë më parë humbi dy fëmijë shkaku i zjarrit

09/10/2021 18:35
nga:M K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot familjen Sadrija në fshatin Ujz të Gjakovës, të cilët humbën familjarët pasi zjarri kishte kapluar shtëpinë e tyre.

Këtë e konfirmoi departamenti për media brenda zyrës së kryeministrit në një komunikatë dërguar mediave, përcjell GazetaBlic.

Tutje, në komunikatë thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndajë 40 mijë euro për familjen Sadrija.

Më poshtë edhe komunikata e plotë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi për ngushëllime familjen Sadrija, në fshatin Ujz të Gjakovës, të cilët kanë humbur dy fëmijët, pasi zjarri kishte kapluar shtëpinë e tyre, derisa ata ishin në gjumë.

Kryeministri Kurti u shprehu ngushëllime familjarëve dhe i inkurajoi që të gjejnë forcë për ta përballuar dhimbjen për vdekjet e rënda të fëmijëve të tyre, të moshës 12 dhe 13 vjeçar. Ai tha se bashkëndjen me familjarët dhe se institucionet e Kosovës do t’ju qëndrojnë afër. Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndajë 40 mijë euro ndihmë për familjen Sadrija.

Familjarët e falënderuan kryeministrin për vizitën dhe për kujdesin e treguar nga Qeveria e Kosovës.​

/GazetaBlic/