Lajme

Qeveria e Kosovës i reagon Vuçiqit: Ky kërcënim erdhi në përvjetorin e dakordimit në Ohër mbi Aneksin

03/19/2024 21:49
nga:G C

Qeveria e Kosovës i ka reaguar presidentit serb, Aleksander Vuçiq, lidhur me deklarimet e tij rreth vendimit të BQK-së për dinarin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kjo nuk është hera e parë që Presidenti i Serbisë bën deklarata të ngjashme përmes së cilës shfaq synimin e tij për invazion në Kosovë.

“Në një rast të mëparshëm ka pasur si referencë konfliktin në Nagorno Karabakh ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit duke marrë si shembull veprimet e këtij të fundit. Kësaj radhe, ky kërcënim erdhi mu në përvjetorin e dakordimit në Ohër mbi Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazike. Si për të vërtetuar që Serbia fare nuk e ka mendjen te zbatimi i saj. Serbia vazhdimisht shprehet publikisht që nuk e njeh integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Veçanërisht u potencua ky mesazh i rrezikshëm me 26 tetor, pas takimit me krerë shtetesh dhe liderë të BE-së në Bruksel, aty ku dhe përsëri u refuzua nga ana e Vuçiq nënshkrimi i marrëveshjes”, u shpreh Kryeziu.

Ai tha se kërcënimet e Serbisë dhe retorika luftënxitëse kanë histori të gjatë.

“Edhe pse kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe retorika luftënxitëse nga krerët e shtetit serb kanë një histori të gjatë që përsëritet vazhdimisht, ato nuk duhet të kthehen në deklarata normale të rendit të ditës. Ato nuk mund të shpërfillen e as të injorohen, apo të cilësohen thjesht si deklarata për konsum të brendshëm. Ato duhet të përcillen me vigjilencë të lartë dhe të dënohen ashpër edhe nga komuniteti ndërkombëtar, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar e me radhë. Si një peng i së kaluar që është e i dëshpëruar që nuk mund ta kthejë kohë mbrapa, Vuçiq shpreson rrezikshëm që metodat e së kaluarës një ditë mund të jenë zgjidhja në të ardhmen”, u shpreh Kryeziu për Tëvë1.

Gjatë ditës Vuçiq deklaroi se pret vetëm lajme të këqija për vendin e tij dhe se Serbia do ta ndryshojë qasjen në dialog me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

“Unë do të shpjegoj se si na mashtruan, ku dhe si na kanë gënjyer disa të ashtuquajtur miq, e shumë të tjerë, dhe kjo ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE).”, tha Vuçiq. Kurse, duke folur për anëtarësimin e Kosovës në KE, tha se “ne u thamë atyre se çfarë do të ndodhte nëse kjo do të ndodhte. Sepse mendojnë se kanë të drejtë ta interpretojnë marrëveshjen në mënyrë të rreme, jo në mënyrë të gabuar apo si të duan, por në mënyrë të rreme”.