Lajme

Qeveria do ta mbështesë familjen e Enver Hadrit me 100 mijë euro në rastin e rigjykimit në Bruksel për vrasjen e tij

01/10/2025 12:21
nga:Sh R

Qeveria e Kosovës do të mbështesë me 100 mijë euro familjarët e veprimtarit të vrarë Enver Hadri, për vrasjen e të cilit ka rifilluar një proces gjyqësor në Bruksel.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se ky rast ka rëndësi historike për Kosovën, prandaj është e nevojshme mbështetja e familjes së tij në këtë proces gjyqësor.

“Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndarjet e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve për mbrojtjen juridike – mbështetjen financiare për familjarët e veprimtarit të vrarë Enver Hadri. Rasti në çështjen penale ndaj të akuzuarve nga Serbia për vrasjen e aktivistit të njohur Enver Hadri ka filluar dje në Gjykatën Penale në Bruksel dhe si i tillë ka rëndësi historike për vendin tonë. Për rastin e tillë, drejtësia e Belgjikës tashmë ka vërtetuar se Jugosllavia, përkatësisht Serbia, me shërbimin e saj sekret kanë vrarë veprimtarin e çështjes sonë kombëtare Enver Hadri, duke dënuar të tre të akuzuarit serbë”.

Për vrasjen e Enver Hadrit në vitin 1990 në Belgjikë janë shpallë fajtorë tre shtetas të Serbisë, njëri prej tyre shërbyes i inteligjencës, i cili ka urdhëruar dy të tjerët për vrasjen e tij. Të tre ata janë shpallë fajtorë, por dje ka nisur rigjykimi në çështjen penale pas ankesës së dy të akuzuarve, siç tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot në mbledhjen e Qeverisë.

“Si institucione të Kosovës jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe në familjarët, por edhe me autoritetet belge për interesin më të mirë të Kosovës. Pasi janë shpallë fajtorë, procesi ka filluar dje nga autoritetet belge që po trajtohet ankesa e dy të dënuarve. Kemi vlerësuar që ta mbështesim familjen në këtë proces të rëndësishëm”.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se e mbështesin këtë dhe tha se ndarja e mjeteve do të bëhet nga shpenzime të paparashikuara dhe |do ta procedojmë edhe për miratim”.