Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë dje se BE është e gatshme që t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës, por që kjo bazohet në hapat që do t’i ndërmarr Qeveria e Kosovës për plotësimin e kushteve.
“Masat janë të formuluara në deklaratën e 3 qershorit të vitit të kaluar dhe ka konkluza të këshillit në dhjetor të vitit të kaluar të cilat paraqesin kushtet për këtë. Por, BE-ja është e gatshme që të heq masat, bazuar në rezultatet e hapave të ndërmarra nga pala kosovare”, u shpreh ai.
Lidhur me këtë, nga Qeveria e Kosovës janë deklaruar për Gazeta Blic.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thotë se e mirëpresin gatishmërinë e BE-së që të largohen masat e padrejta ndaj Kosovës.
Sipas tij, Kosova me 22 prill kur ka përfunduar procesin e votimit për largimin e kryetarëve në katër komunat në veri, janë përmbushur kushtet e deeskalimit të situatës në veri.
“Ne e mirëpresim gatishmërinë e Bashkimit Evropian që të largojë masat e padrejta ndaj Kosovës. Me 22 prill, me rastin e përfundimit procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi në Bratislavë me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit”, thotë Kryeziu.
Ai shton se deeskalimi ka ndodhur.
“Sipas çdo parametri, deeskalimi në katër komunat në veri të vendit tashmë ka ndodhur. Rikujtomë se tre nga këto katër komuna kanë nënkryetare gra nga komuniteti jo shumicë serbe, me të cilat si Qeveri kemi komunikim dhe bashkëpunim të rregullt. Një pjesë e madhe e drejtorive në këto komuna drejtohen nga profesionistë të komunitetit serb. Procesi i konvertimi i targave në RKS është përmbyllur me sukses. Qytetarët kanë vijuar të pajisjen me dokumente të Republikës së Kosovës. Deri më tani mbi 2/3 e numrit total të aplikimeve për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë në të Republikës së Kosovës janë regjistruar në katër komunat në veri. Si dëshmi e radhës e normalitetit dhe integrimit”, vlerëson zëdhënësi i Qeverisë për Gazeta Blic.
Kryeziu shton se BE i ka të gjitha arsyet që t’i heq masat ndaj Kosovës, derisa uron që gatishmëria shpejt të kthehet në veprim.
“Bashkimi Evropian ka i të gjitha arsyet për të larguar masat e vëna. Ne urojmë që gatishmëria e tyre të kthehet së shpejti në veprim për të larguar këto masa”, deklaron Përparim Kryeziu./Gazeta Blic/
Szunyog: BE-ja e gatshme që t’i heq masat bazuar në hapat që ndërmerr Qeveria


