Lajme

Qetësohet pak situata në veri, mbrëmja sjell uljen e tensioneve në Bërnjak e Jarinje

09/23/2021 21:11
nga:M K

Situatë më e qetë raportohet të jetë sonte në pikë-kalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Atje raportohet të ketë ardhur ndërrimi i ri i Forcave Speciale të Policisë, teksa gjatë ditës, një helikopter i KFOR-it ka vëzhguar situatën nga lartësia.

Protestuesit të cilët sonte janë më të paktë në numër, po vazhdojnë të qëndrojnë në vendin ku edhe është aktive bllokada, teksa po kërkojnë edhe largimin e policisë nga aty.

Gjatë ditës ka pasur raportime nga mediat serbe për disa incidente, mirëpo që të njëjtat i ka mohuar Policia e Kosovës.

Sot ndërkaq është dita e katërt e bllokadës në këto dy pika kufitare, teksa fuqitë përendimore po bëjnë vazhdimisht thirrje për shtensionim të situatës.

Gjatë ditës, një kërkesë të tillë e pati i ngarkuari me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, teksa në një vijë të njëjtë të mendimit ishte edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.