Lajme

“Qershia mbi tortë e keqpërdorimit elektoral” – Eugen Cakolli kritikon vendimin e qeverisë në detyrë

05/26/2026 23:21
nga:Genita C

Eugen Cakolli ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e 2 milionë eurove shtesë për subvencionimin e fluturimeve të diasporës, duke e cilësuar atë si “keqpërdorim të resurseve publike për qëllime elektorale”, raporton GazetaBlic.

Sipas Cakollit, një qasje e tillë cenon seriozisht parimin e zgjedhjeve të ndershme dhe krijon epërsi të padrejtë për partinë në pushtet përmes përdorimit të parasë publike dhe avantazhit institucional.

Postimi i plotë:

Ky vendimi i fundit për t’i shtuar edhe 2 milionë euro shtesë për “mbështetje” të linjave ajrore për fluturimet e mërgatës, është qershia mbi tortë në keqpërdorimin e resurseve publike për qëllime puro elektorale.

Për më keq, kjo tashmë e tejkalon dimensionin e shkeljeve ligjore dhe e cenon drejtpërdrejt e seriozisht parimin e zgjedhjeve të ndershme. Një qasje e tillë po e shndërron garën zgjedhore në një proces krejtësisht të pabarabartë, ku partia në pushtet krijon epërsi përmes parasë publike dhe avantazhit institucional, e jo përmes një gare të drejtë politike.