Lajme

Qeriqi për dënimin e “Ujkut”: Lufta jonë, më e pastra në botë – dëshmitarët e mbrojtur i shërbejnë vetëm Serbisë

07/16/2024 23:50
nga:G B

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka folur për dënimin me 18 vjet burgim ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Pjetër Shala, i njohur si Komandant “Ujku”.

Ai tha se kjo është një lojë e ashpër e Serbisë, e cila sipas tij, po mundohet ta dëmtojë imazhin e Kosovës duke i dënuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare, teksa shtoi se në këtë lojë, fatkeqësisht kanë rënë edhe ndërkombëtaret.

“Serbia na ka shkatërruar me të gjitha, çka kemi pasur. Kjo të jep të kuptosh se këta dëshmitarë të fshehur e kanë një bashkëpunim të ngushtë me organet e Serbisë, bashkëpunojnë me ta dhe i shërbejnë kësaj gjykate në koordinim dhe tendencë e kanë që me çdo kusht t’i dënojnë luftëtarët e UÇK-së.

“Të vetëdijshëm për luftën e pastër të UÇK-së, nuk besoj që në botë ka pasur ndonjë luftë më të pastër. UÇK-ja s’akuzohet se ka vrarë asnjë fëmijë, asnjë plak, asnjë plakë. Në anën tjetër, aparati shtetëror i organizuar i Serbisë ka kryer qindra masakra, është munduar të na çrrënjosë prej këtij vendi. Dhe, bashkësia ndërkombëtare është rreshtuar në krah të Serbisë, me qëllim që të dënohen çlirimtarët tanë”, tha Qeriqi në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Më tej, Qeriqi akuzoi dëshmitarët e mbrojtur të Gjykatës Speciale se po i shërbejnë Serbisë dhe se po ia bëjnë dëmin më të madh Kosovës.

“Këta po mundohen që me dëshmitarë të fshehur, që bashkëpunojnë me Serbinë, e edhe sot kemi shumë njerëz që i shërbejnë Serbisë, punojnë kundër interesave të Kosovës”.

“Edhe ata që po fshihen prej këtij populli, janë duke i shërbyer vetëm Serbisë. Po i bëjnë dëmin më të madh të këtij vendi. Nuk mbahet mend asnjëherë në histori dëm më të madh sesa ata që po i bëjnë këtij vendi”, tha ai.