Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka reaguar ndaj Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që shpalli të kundërligjshëm vendimin e kësaj komune për caktimin e lokacionit të pronës për strehimin e qenve endacakë.
Në një prononcim për GazetaBlic, Zogaj thotë se strehimorja për qentë endacakë do të ndërtohet nga Komuna e Prishtinës dhe sipas tij, është nevojë e madhe për qytetin.
“Jemi duke i analizu të gjitha rrugët ligjore për të vazhduar me këtë proces! Ne do ta ndërtojmë strehimoren sepse është nevojë imediate e qytetit”, tha Zogaj.
Kujtojmë se, MMPHI-ja ka konstatuar se hyrja e vendimit për ndarjen e 10 hektarëve në Slivovë, nuk është i bazuar në Ligjin për Planifikim Hapësinor.
Kjo ministri ka kërkuar të shikohet lokacioni i planifikuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor në fuqi, e që “vendimi të jetë i bazuar edhe në dokumentet e planifikimit hapësinor sipas Ligjit për planifikimin hapësinor dhe dokumentet tjera që janë të parapara me këtë ligj”.Ministria ka kërkuar që Komuna të harmonizojë vendimin me dispozitat ligjore në fuqi brenda 30 ditësh./GazetaBlic/
Liburn Aliu ia shfuqizon një vendim kryetarit të Prishtinës Përparim Rama


