Opinion

Qendron Kastrati, letër mësimdhënësve

05/17/2021 00:06
nga:Qendron Kastrati

Shkruan: Qëndron Kastrati

Të nderuar mësimdhënës,

Bëhen gati dy vite prej se kemi filluar një nga proceset më të vështira dhe më të rëndësishme që ka të bëjë me arsimin në Kosovë. Së bashku kemi kaluar nëpër këtë periudhë të vështirë, herë nëpër suksese të rëndësishme, e herë sfida të vështira.

Keqkuptimi i cili u ndërtua mbi mënyrën se si u komunikua reforma në arsim tek ju ishte valid. Mirëpo, siç e kuptoi secili nga ju, askush prej jush nuk e pësoi nga kjo nismë. Kontrata Kolektive të cilën e nënshkruam është një nga marrëveshjet më të mira në Kosovë e cila avancon pozitën dhe të drejtat tuaja. Shumë nga kolegët tuaj të cilët për shkaqe shëndetësore apo për shkaqe të tjera nuk kishin mundësinë të angazhoheshin në arsim, fituan të drejtën që me 100%, respektivisht 70% të kompensimit të normës së plotë, të mos detyroheshin të paraqiten në punë. Ju e dini shumë mirë që çdo vit jeni frikësuar mos po mbeteni pa orë, ndërsa tani kjo nuk ndodhë më. Për shumë kohë, për arsye të neglizhencës së shtetit, juve ju ka rënë barra ta bëni psikologun, pedagogun e ndihmësin për fëmijët të cilët kishin nevojë për vëmendje shtesë.

Së bashku, e mundësuam angazhimin e psikologut, pedagogut, ndihmësin për fëmijët me nevoja të veçanta e bibliotekistin që t’i udhëzojnë fëmijët në fusha të veçanta. Siç ju e keni përjetuar vetë, gjatë kësaj kohe angazhimi jonë në përmirësimin e kushteve infrastrukturore ka qenë i papushim. Përveç ndërhyrjes në toalete e renovimin e hapësirave të domosdoshme, shkollat u pajisën me libra, laptopë, pajisje laboratorike e të tjera shumë të nevojshme për të realizuar punën tuaj.

Të dashur mësimdhënës, ju më mirë se çdokush tjetër e di që nuk mund të ketë cilësi më të mirë të mësimit nëse ju punoni në kushte të mizershme, dhe të gjithë e dimë që me angazhim më të madh, çka nuk është bërë për 20 vite, është bërë për 1 vit. Kjo tregon që ne mund të përmirësojmë infrastrukturën edhe më tutje. Sepse, unë nuk besoj që arsimi në Kosovë është i mallkuar. Unë besoj që ka arsye konkrete pse shoqëria jonë ka ngecje në fusha të ndryshme. Keqmenaxhimi i resurseve është një nga to.

Kamenica nuk mund t’i ketë 29 shkolla dhe të menaxhojë me këto ndërtesa. Edhe po të ishte e mundshme të menaxhohen ndërtesat e ndërtuara në kundërshtim me kriteret që vet Ministria i ka vënë, ato nuk duhet të ezkistojnë si barrë për fëmijët. Sepse shkenca dhe ligji në Kosovë nuk e rekomandon e as lejon që një klasë t’i ketë 5 fëmijë me kushtet aktuale. Për këtë arsye reforma në Kamenicë është e domosdoshme. Dhe jo vetëm në Kamenicë, por në gjithë Kosovën.

Andaj, ju që e dini më së miri rëndësinë e arsimit në Kosovë.
Ju që e dini më së miri në çfarë kushte keni punuar, dhe deri në një masë ende punoni.
Ju që e dini më së miri që nuk motivoheni njejtë sikur kur punoni me 5 fëmijë, sikur kur punoni me 20.
Ju që e dini më së miri sa e rëndësishme është konkurrenca në klasë.
Ju që e dini më së miri sa i rëndësishëm është shoqërimi për fëmijën.
Ju që e dini më së miri sa e rëndësishme është që shkollat në Kosovë të marrin karakterin e një shkolle të vërtetë europiane me kushte për mësimdhënie e mësimnxënie.
Juve që politika u ka përdorur më së shumti kur ju keni dashtë. Juve që politika nuk ua ktheu asnjëherë vëmendjen.
Ju e dini që reforma është e domosdoshme!

Andaj, u bëj thirrje të gjithë atyre të cilët për shkak të frikës nga nxitësit dhe shantazhuesit në komunitet, për shkak të manipulimit nga ana e ministres Nagavci, për shkak të arsyeve të ndryshme jeni duke menduar që angazhimi juaj në mësimin e përshpejtuar të parregullt, është ajo çfarë ju duhet të bëni, se kjo që po bëni është e papranueshme.

Të gjithë ata të cilët janë duke u angazhuar në mësimin e përshpejtuar në objekte të mbyllura nga inspektorati, me një organizim paralel joligjor janë duke vepruar kështu në kundërshtim me kontratën e tyre të punës. Kontrata e punës shprehimisht thotë që nëpunësi “të mos kërkojë apo të pranojë udhëzime lidhur me kryerjen e detyrave të punës nga asnjë organ tjetër përveç drejtorit të shkollës dhe DKA-së ose personave të caktuar nga ta.”

Andaj, bazuar në qëllimin e mirë të Komunës së Kamenicës i cili është në përputhje të plotë me aspiratat për arsim më kualitativ, bazuar në veprimet tona të cilat janë në përputhje të plotë me ligjin, dhe bazuar në detyrimet tona për të zbatuar ligjet, ne ju bëjmë thirrje që të respektoni kontratën e nënshkruar nga vet ju. Nëse për ju kontrata juaj për mësimdhënie apo angazhim në arsim brenda Komunës së Kamenicës nuk vlenë më, atëherë ju ftoj që jo më vonë se të martën brenda orarit të punës, të dorëzoni dorëheqjen tuaj. Përndryshe, ne jemi të detyruar të veprojmë në përputhje me parimet dhe rregullat që janë shumë të qarta.

Çdokush i cili nuk është i kënaqur me vendin e tij të punës ka të drejtë të vendosë ta lë atë, dhe kjo është e kuptueshme. Mirëpo veprimet në kundërshtim me institucionin i cili është punëdhënësi juaj, janë të patolerueshme.

Andaj, nëse Ministria e Arsimit u ka premtuar se do të ju angazhojë në mësimdhënie, ju këtë mund ta bëni. Mirëpo, siç dihet Ministria nuk punëson asnjë mësimdhënës askund në Kosovë në nivelin parafillor, fillor dhe të ulët të mesëm.

Vendimi është i juaji!