Lajme

Qëndrimi slloven për anëtarësimin në KiE, Presidentja Pirc-Musar: Kosova e di çfarë duhet të bëjë

04/27/2024 21:52
nga:Mergim Rreci

Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, ka thënë se shteti i saj e mbështet Kosovën deri në anëtarësimin e saj në të gjitha organizatat euroatlantike.

Pirc Musar tha se shpreson që lidershipi në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë të vetëdijshëm se duhet t’i plotësojnë kushtet.

“Çdo vend që hyn në Bashkimin Evropian, NATO ose Këshillin e Evropës, të gjithë ne duhej të përmbushnim kushtet. Nuk është gjithmonë e lehtë, por në lidhje me Këshillin e Evropës, zemra ime është vërtetë shumë afër kësaj organizate”, tha presidentja sllovene për “Kallxo.com“.

Në pyetjen se a po e kushtëzon Sllovenia hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ajo tha se nuk do t`i diskutojë kushtet pasi sipas saj, “Kosova e di se çfarë duhet të bëjë’’.

“Dhe ju po pyesni një avokate nëse duhet të përmbushen marrëveshjet e nënshkruara. Pra, kjo është ajo që unë duhet të them, ‘pacta sunt servanda’. Kjo është diçka që të gjithë avokatët nuk mund të ikin prej saj dhe ky është një fakt. Dhe do të doja të them vetëm se shpresoj se lidershipi në vendin tuaj dhe në Serbi do të fitojë mençuri, fuqi dhe energji të mjaftueshme për të zgjidhur enigmat. Situata në të cilën ndodhemi aktualisht po më tregon se ka mungesë besimi. Kur ke mungesë besimi, është e vështirë të përparosh”, tha presidentja Pirc Musar.