Lajme

Qëndrimi i DASH dhe deklaratat e BE-së/ “Dialogu në rrugë pa krye, Kurti me retorikë të humbësit – të ndërhyjë SHBA në dialog”

09/19/2023 13:21
nga:G B

Departamenti amerikan i shtetit ka vlerësuar përpjekjet e palodhura të Miroslav Lajçakut, në dialogun Kosovë-Serbi.

Kjo vjen pas akuzave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Lajçak është i njëanshëm në dialog, duke përkrahur Serbinë.

Ndërsa, mëngjesin e sotëm, Bashkimi Evropian përmes një komunikate për media, kërkoi që palët të nisin menjëherë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të raporteve mes dyja shteteve, themelimin e Asociacionit pa parakushte dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

Po ashtu, BE njoftoi se masat e vendosura ndaj Kosovës mbesin ende në fuqi.

Lidhur me këtë, ish kryenegociatori i dialogut, Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se deklarata e BE-së dhe qëndrimi i DASH-it konfirmojnë se dialogimi i Kosovës deri tash ka qenë debakël.

“Deklarata e BE-së por edhe qëndrimi i DASH-it konfirmojnë se mënyra e deritanishme e dialogimit të Kosovës është debakël total. Tashmë nuk ka as diplomaci. Nga një nga marrëveshjet e nënshkruara qeveria e Kosovës ka bërë që Asociacioni të shndërrohet në hap të parë te implementimit të marrëveshjes së Brukselit”, thotë ai.

Sipas Arifit, “retorika e djeshme e Kryeministrit ishte retorikë e humbësit në tavolinë dhe e dëmshme për Kosovën”.

Sa i përket sanksioneve dhe mundësisë për sanksione të reja ndaj Kosovës, ai vlerëson se nuk ka shenja në horizont se ato do të hiqen, por ka shenja që mund të rriten ato, nëse qeveria vazhdon me këtë qasje.

“Sa i përket sanksioneve apo masave, Qeveria ka gabuar rëndë kur ka marrë obligim pikën në takimin e Bratisllavës për zgjedhje që do të duhej të ndodhnin pas verës dhe nuk ka qenë në gjendje ta arrijë. Nuk ka shenja në horizont se masat do të hiqen, por ka plot shenja se ato do të rriten nëse Qeveria vazhdon qasjen ekzistuese”, deklaron Avni Arifi për Gazeta Blic.

Ndërsa, ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova, thekson se nga takimi i 14 shtatorit u pa se takimi po hyn në rrugë pa krye.

“Roli kyç në ndërmjetësimin e çështjeve politike mes dy shteteve i takon ndërmjetësuesit, i cili duhet të jetë neutral dhe i paanshëm. Nga ajo që pamë pas takimit të 14 shtatorit, thjesht procesi po hyn në një rrugë pa krye”, shprehet ai për Gazeta Blic.

Lidhur me masat, Rugova thotë se ato nuk janë hequr, sipas qeveritarëve ato kanë qenë premtim në takimin e Bratisllavës.

“Masat e BE-së nuk janë hequr, sipas qeveritarëve tanë ka qenë premtim qysh në takimin e Bratisllavës, pastaj dëgjuam qëndrime diametralisht të kundërta nga ndërmjetësuesit që haptas akuzuan palën kosovare për refuzim të një plani implementues, dhe në anën tjetër deklarimet e kryeministrit Kurti për anim haptazi për Serbinë nga ndërmjetësi Lajçak. Kosova ka shkuar në takim me një propozim, i cili nuk është pranuar nga Serbia dhe ndërmjetësuesit. BE ka insistuar në një propozim të tyre që sipas meje është i diskutueshëm sepse ka tendencë të zbatimit të një pike të vetme që është AK serbe”, vlerëson ish deputeti.

Sipas tij, nëse nuk arrihet kompromis dhe nuk ndërhyn SHBA e Gjermani dhe Franca, rreziku është që të kompromentohet procesi dhe Kosova do ta paguajë çmimin.

Po ashtu, ai thotë se Kurti duhet të jetë i matur dhe kujdesshëm në këtë situatë dhe të ketë guxim për zbatim të pikave për të cilat është dakorduar.

“Nëse nuk arrihet një kompromis dhe nëse nuk ndërhyjnë SHBA si dhe propozuesit e kësaj marrëveshje Gjermania dhe Franca, procesi rrezikon të komprometohet dhe Kosova do ta paguajë çmimin. Kryeministri i Kosovës duhet të jetë shumë i matur dhe i kujdesshëm në këtë situatë. Duhet të ketë guxim dhe të fillojë zbatimin e pikave të dakorduara dhe mos t’i adresohet faji Kosovës”, deklaron Naser Rugova./Gazeta Blic/

BE-ja kërkon konfidencialitet në dialog, zgjedhje të reja në veri e Asociacion – masat mbeten në fuqi

 

Departamenti Amerikan i Shtetit e mbron Lajçakun pas akuzave të Kurtit, çmojnë “përpjekjet e palodhura” të tij për dialogun