Lajme

Qendrat për punë sociale pa psikologë, ndihmohen nga OJQ-të

02/11/2024 21:44
nga:G B

Të paktën dy prej Qendrave për Punë Sociale në dy komuna, nuk kanë psikologë të punësuar, ndonëse që kjo pozitë është e domosdoshme në rastet që janë të përfshirë të miturit, e sidomos në rastet kur bëhet fjalë për dhunim.

Bashkim Rakaj, nga QPS-ja në Prizren thotë se në rastet kur kanë nevojë, duhet që këto shërbime t’i kërkojnë në institucionet e shëndetit mendor ose tek organizatat joqeveritare.

“Është shumë i nevojshëm pasja e një psikologu nëpër qendra për punë sociale, sepse është ofrimi i shërbimeve më i shpejtë, dhe më i qasshëm dhe më i drejtëpërdrejtë, sidomos menaxheret e rasteve, punonjësit social kanë nevojë për marrjen e një mendimi të psikologu në rastet e çështjeve të besimit të fëmijëve, çështjet e kujdestarisë”, ka thënë Bashkim Rakaj – Punonjës social në QPS-në e Prizrenit.

Njëjtë sikurse Prizreni, të njëjtin problem e ka edhe qendra në Fushë-Kosovë.

Drejtori i saj thotë se institucionet duhet të bëjnë një zgjidhje, sepse është sfduese që çdo herë të kërkohet ndihma e psikologut tek institucionet e tjera.
“Atëherë duhet të e shfrytëzojmë përmes ojq-ve ose ekspertëve të licencuar dhe psikologët klinik tek institucionet e shtetit..është mjaft sfiduese sepse jo cdo herë njerëzit mund të bëjnë pagesa ato nëse nuk marrin shërbime tek psikologët klnikë, atëherë detyrohen të paguajnë është kosto”, ka deklaruar Abaz Xhigoli – Drejtor i QPS-së në Fushë-Kosovë.

E, pikërisht mungesa e psikologëve të këto qendra, ka shtyrë Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, të nisë një projekt për ofrimin e shërbimeve të psikologut.

Florida Gashi nga kjo qendër, thotë se tashmë kanë lidhur memorandume me disa komuna.
“Ne kemi filluar me zbatimin e projektit rehabilitimi dhe riintegrimi i të miturve, viktima të dhunës seksuale si dhe fuqizimin e institucioneve shtetërore ka filluar ky projekt në vitin 2023 në shtator po fillon tani e tuje, jemi në bashkëpunim me qendrat për punë sociale, në kuadër të këtij projekti, ku përmes këtij tentojm me i trajtu rastet të cilat referohen nga ta”, është shprehur Florida Gashi nga QKRMT.

Në janar të vitit të kaluar, ministria e Drejtësisë kishte njoftuar se qendrat për punë sociale janë marrë në menaxhim nga ky dikaster, por në një përgjigje me shkrim kanë thënë se ato vazhdohen të menaxhohen nga komunat.

“Qendrat për Punë Sociale janë institucione të cilat janë nën menaxhimin e komunave. Edhe ne si Ministri e Drejtësisë kemi vërejtje karshi komunave në mosplotësimin e kuadrit profesional në njësinë e shërbimeve sociale dhe familjare në Qendrat për Punë Sociale. Prandaj në Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare, kemi parapa hartimin e një Udhëzimi Administrativ përmes së cilit do vendoset, ndër të tjera, një standard i numrit punëtorëve social në Qendrat për Punë Sociale. Megjithatë procesi i rekrutimit të punëtorëve social në Qendrat për Punë Sociale mbetet kompetencë e komunave”, është thënë nga ministria e Drejtësisë.

Qendrat për Punë Sociale, sipas ligjit, kanë për detyrë ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për personat në nevojë dhe familjet që janë në nevojë në Kosovë.

Megjithatë ato shpesh kanë qenë cak i kritikave që nuk po e kryejnë punën siç duhet, veçanërisht në rastet e dhunës ndaj grave.