Numri i të infektuarve me Covid-19 ka filluar të bie, për shkak të masave më rigoroze të marra nga ekzekutivi i vendit.
Situatë më e relaksuar sa i përket fluksit të qytetarëve që kërkojnë ndihmë shëndetësore po vërehet edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Doktoresha e kësaj Qendre, Drita Peqani, thotë se para dy javëve numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka qenë shumë i lartë, e shumica prej tyre me simptoma të Covid-19.
Kësisoj, sipas saj, një mjeku brenda një orari të punës i është dashur të kontrollojë diku rreth 50 pacientë.
“Gjendja në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku unë shërbej është pak më e qetë, sidomos këtë javë prej fillimit të kësaj jave dhe fundit të javës së kaluar me krahasim me javët paraprake ku numri i pacienteve të cilët kërkonin të testohen dhe ishin me simptomat të COVID19 ka qenë shumë i madh brenda një orari.
Një mjek ka pas diku deri 50 pacientë, prej tyre ndoshta 60-70% ka qenë me simptome për me COVID-19, mirëpo këtë javë fatmirësisht numri ka rënë dhe shpresojmë që të jetë edhe më i ultë”, tha ajo.
Doktoresha Peqani tha se shkak i gripit sezonal janë ndryshimi i temperaturave.
“Gripi sezonal ndoshta nuk mund ta quajmë sepse nuk jemi kompetent, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik e përcakton a është grip, apo virale apo edhe bakteriale, apo edhe ndonjë flamë siç e quajmë në popull, mirëpo kemi edhe raste të tilla e që vjen si pasojë e temperaturave, temperaturave të larta që kanë qenë deri tash, në temperatura më të ultë kemi edhe pacientet të cilët kërkojnë ndihmë për shkak të këtyre ndryshimeve me një simptomatologji të ngjashëm me gripin”, shtoi ajo.
Peqani tha se tani po vërehet mungesa e stafit në QKMF-së pas vendimit të Qeverisë për mbylljen e çerdheve, pasi njëri nga prindërit lirohet nga puna.
“Kur rritet numri i pacientëve edhe me staf ekzistues normal atëherë, paraqitet mungesë e stafit e sidomos tash Qeveria që ka marrë vendim që njeri prind të jetë në pushim për shkak të mbylljes së çerdheve hetohet për arsyeje se ky është një institucion shumë i madh ndërsa shumë punëtore janë në pushime të lehonës, pushime mjekësore, pushime vjetore. Megjithëse shumë pak ka në pushime vjetore veç janë mbaru dhe në këtë gjendje nuk ka në pushim vjetore, mirëpo vërehet një mungesë e stafit”, tha ajo për Front Online.
E pyetur se a ka mungesë të barnave esenciale, doktoresha Peqani tha se QKMF-ja para dy dite është furnizuar me të gjitha barnat.
“Për momentin nuk kemi asnjë mungesë. Insulina ka qenë një herë në mungesë, mirëpo kuvendi komunal, drejtoria për shëndetësi dhe kryetari i komunës kanë investuar vetë dhe i kanë ble insulinën për pacientët të cilët janë me insulinë terapi, ndërsa tani mandej kanë ardh edhe insulinat nga ministria si dhe barnat esenciale para dy dite barnatorja e QKMF-së është furnizuar me barnat esenciale”, përfundoi Peqani.