Lajme

Qendra e votimit me kusht, Mazreku: Votimi filloi pa probleme, brenda një ore votuan mbi 20 votues

12/28/2025 08:39
nga:Lorik J

Procesi i votimit në qendrën e votimit me kusht në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë ka filluar me kohë dhe pa incidente, dhe se brenda një orë e gjysmë kanë votuar 20 votues. Kështu ka bërë të ditur, menaxheri i kësaj qendre, Milaim Mazreku.

Mazreku, tha se procesi po ecën mirë dhe se hapja e qendrës ka qenë e gatshme qysh para orës 07:00.

“Jemi në qendrën e votimit me kusht 1901 në Fakultetin e Edukimit. Votimi ka filluar pesë minuta para orës 07:00 dhe tre votues e kanë hedhur votën në kutinë e votimit. Çdo gjë është në rregull, procesi është duke shkuar mirë e mbarë dhe u bëj thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë. Deri më tani, kur po raportojmë, diku në 8 pika të kësaj qendre janë diku mbi 20 votues. Dje ka arritur materiali jo sensitiv, ndërsa sot materiali sensitiv dhe çdo gjë është në rregull, pa incidente”, tha ai.

Numri i votuesve në Prishtinë është mbi 219 mijë, ndërsa të regjistruar jashtë Kosovës janë mbi 7,500 qytetarë.

Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Republikën e Kosovës është 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,086 votues.